Ballina Rajoni Greqia kërkon punëtorë jashtë BE-së pasi vendasit shmangin sektorin e turizmit

Greqia kërkon punëtorë jashtë BE-së pasi vendasit shmangin sektorin e turizmit

33
0

Që nga pandemia, bizneset greke kanë hasur vështirësi në rekrutimin e vendasve për sezonin turistik për shkak të orëve të gjata të punës dhe pagave të ulëta. Qeveria po përpiqet të plotësojë boshllëqet me punëtorë nga vende jashtë BE-së, por kjo strategji sjell problemet e veta.

Nga Eleni Stamatoukou

Andreas zgjohet çdo mëngjes në orën 6 për të hapur kafenenë e tij të vogël në një qytet provincial afër Athinës, prej nga ai vjen.

Normalisht, në këtë periudhë të vitit, ai do të ishte zhvendosur tashmë në ishullin grek të Mikonosit për sezonin turistik, por këtë vit, pas dhjetë sezonesh verore radhazi duke punuar në sektorin e shërbimeve në ishull, ai vendosi të qëndrojë në shtëpi.

“Nuk e përballoja më fizikisht të punoja me atë ritëm shtatë ditë në javë”, thotë Andreas, 49 vjeç (jo emri i tij i vërtetë).

Andreas fitonte mesatarisht rreth 180 euro në ditë (së bashku me bakshishet) në Mikonos. “E dije që nëse ktheheshe nga puna sezonale do të kishe një shumë të mirë parash në dorë, por kjo nuk vlen për të gjithë”. thekson ai.

Këtë sezon, atij iu ofrua sërish një punë në ishull, pasi “ka mungesë stafi, por e refuzova”, thotë ai.

Ai nuk është i vetëm në vendimin e tij. Në vitet e fundit – dhe veçanërisht pas pandemisë së COVID-19 – shumë punëtorë grekë i kanë kthyer shpinën industrisë së turizmit.

Natyra sezonale e punës, orët rraskapitëse dhe pagat e ulëta i kanë larguar njerëzit, shpjegon Giorgos Hotzoglou, president i Federatës Panhelenike të Punëtorëve në Shërbimet Ushqimore dhe Turizëm (POEET).

“Nuk ka asnjë arsye që dikush të bëhet punëtor sezonal”, thotë ai për BIRN, duke shpjeguar se shumë prej tyre kanë vendosur në vend të kësaj të punojnë në industritë turistike të vendeve të tjera ose në sektorë të tjerë të ekonomisë greke.

Me sezonin turistik të vitit 2025 që është në kulm, bizneset po përpiqen tani të plotësojnë boshllëqet që kanë mbetur me punëtorë nga vende jashtë BE-së.

“Kërkesa më e madhe për staf është në industrinë e shërbimit ushqimor. Më pas vjen industria e hotelerisë, e cila po përpiqet të plotësojë boshllëqet përmes punëtorëve nga jashtë, një proces që ka disa probleme burokratike”, shpjegon Grigoris Tasios, president i Shoqatës së Hoteleve të Halkidikisë dhe anëtar i bordit drejtues të Dhomës Greke të Hoteleve.

Mungesa të përhapura dhe të vazhdueshme

Giorgos Mygdalas, pronar i një biznesi të mesëm në Halkidiki, në veri të Greqisë, me vila pushimi dhe një dyqan që shet mallra sezonale, nuk arriti të gjente këtë verë asnjë pastruese e as një ndihmëse në dyqan.

“Si shumë biznese të tjera në këtë fushë, ende kemi probleme për të gjetur staf”, thotë Mygdalas për BIRN.

Biznesi i tij zakonisht punëson tre pastruese dhe një shitëse. “Qoftë në pastrim apo në shitje, situata është shumë serioze”. thekson ai.

Tre të katërtat e bizneseve në Halkidiki raportojnë vështirësi serioze në plotësimin e vendeve të punës, me mungesat më të mëdha në sektorin e hoteleve dhe akomodimit (22.3% mungesë stafi), veçanërisht recepsionistë dhe pastruese, dhe në shërbimin ushqimor (18.1%) me mungesë kuzhinierësh dhe kamerieresh, sipas një raporti të Dhomës së Tregtisë së Halkidikisë, kryer në prill dhe maj.

“Jemi drejtuar edhe në zonat përreth për të gjetur staf”, thotë Mygdalas. “Një tjetër problem është trajnimi. Po përpiqemi të marrim staf të trajnuar. Nuk na intereson vetëm të plotësojmë vendin e punës, por të ofrojmë edhe shërbim sa më cilësor – dhe këtu qëndron problemi.”

Problemi është i përhapur në të gjithë Greqinë. Vetëm në sektorin e hoteleve për vitin 2024 mungesa e stafit u vlerësua në 53,817 vende pune nga gjithsej 278,188 të nevojshme – rreth 19% e totalit – sipas anketës vjetore të Institutit të Kërkimeve për Turizmin (RIT), publikuar në prill.

Kriza është afatgjatë. Në vitin 2023 mungesa ishte 20% (53,229), në 2022 ishte 23% (60,225), dhe në 2021 ishte 22% (53,249).

Mungesa e stafit u përkeqësua shumë pas pandemisë së COVID-19 në vitet 2020-2021. Për ato dy vite, shpjegon Hotzoglou i POEET-it, kontratat e punëtorëve u pezulluan dhe ata morën 534 euro çdo 40-45 ditë.

“Nuk mund të mbash familje me ato para. Shumë njerëz u larguan në atë periudhë”, thotë Hotzoglou.

Presidentja e RIT-it, Konstantina Svinou, në një deklaratë për median greke Ot.gr, parashikon se në vitin 2025 mungesat në sektorin hotelier do të mbeten në të njëjtat nivele si në vitin 2024 – rreth 20%.

Vendet e punës si pastruese, kamerier, recepsionist, ndihmës kamerier, barist, teknik mbështetës dhe kuzhinier përbëjnë 52% të mungesave totale. Mungesa po vërehen gjithashtu edhe në personel të specializuar dhe pozicione drejtuese.

Arsyet për t’u larguar

Në pamje të parë, pagat në këtë sektor duken konkurruese. Paga minimale në sektorin hotelier është të paktën 14.5 për qind më e lartë se paga minimale ligjore.

Gjatë dy viteve të fundit, pagat bazë mujore për punonjësit në sektorin e turizmit dhe ushqimit kanë qenë në intervalin mes 850 – 1,000 euro. Këtë vit, paga bazë për punëtorët në hotelet e kategorisë “A” është caktuar në 1,000 euro, ndërsa për kategorinë “D” në 950 euro.

Megjithatë, për shkak se puna është sezonale – gjashtë deri në shtatë muaj në rastin më të mirë, dhe në disa zona vetëm tre deri në pesë muaj – punëtorët nuk fitojnë mjaftueshëm për të përballuar muajt e dimrit, pasi mund të përfitojnë ndihmë papunësie vetëm për tre muaj.

Për më tepër, në Greqi, për të përfituar një pension të plotë, kërkohen 7,500 pulla sigurimi. Punëtorët sezonalë grumbullojnë vetëm 100-150 pulla në vit.

“Nuk ka asnjë mundësi që ata të mbledhin 7,500 gjatë jetës, kështu që dalin në pension në moshën 62 vjeç me një pension të reduktuar dhe pensioni mesatar që marrin është 450 euro. Pse do të vazhdonte dikush të punonte sezonalisht?”, pyet Hotzoglou.

Arsye të tjera për mungesën e stafit janë kushtet e mjerueshme të jetesës dhe orët rraskapitëse të punës, vë në dukje Hotzoglou.

Megjithëse shumë sipërmarrës kanë tentuar të përmirësojnë kushtet e banimit, “problemi mbetet”, shpjegon Hotzoglou, me pasojë që shumë punëtorë detyrohen të jetojnë në kushte të papërshtatshme ose të ndajnë dhomën me punëtorë të tjerë.

Një tjetër problem është karta digjitale e punës, një mjet që regjistron orët e punës. POEET theksoi në një njoftim për shtyp të publikuar në qershor se ende nuk ka një zbatim universal të kartës.

Sipas Ministrisë Greke të Punës dhe Çështjeve Sociale, bizneset që kanë kod aktiviteti hotelier janë të detyruara ta zbatojnë atë. Megjithatë, disa biznese turistike ende nuk e kanë këtë kod, çka mund t’u lejojë të mbingarkojnë stafin dhe t’u japë një avantazh të padrejtë ndaj bizneseve që i regjistrojnë orët e punës.

“Për fat të keq, nuk po zbatohet siç duhet në sektorin tonë dhe ka përfunduar si një fiasko”, thotë Hotzoglou.

“Ndërsa kishim garanci që pas gjashtë ditësh karta nuk do të lejonte punën në ditën e shtatë, në praktikë shohim të kundërtën – nga kolegët tanë shohim njerëz që bëjnë shtatë ditë punë nga 12 deri në 13 orë në ditë”, shton ai.

Punëtorët e mirë shkojnë diku tjetër

Rezultati është se “punëtorët e mirë nuk qëndruan në ishuj,” thotë Gianna (jo emri i saj i vërtetë), menaxhere e një hoteli me katër yje në ishullin grek Kos në Dodekanez.

“Shumë punëtorë grekë që kishin fituar përvojë në sektorin e turizmit vendosën të largohen dhe të shkojnë në vende si Zvicra, ku punojnë edhe gjatë dimrit për të pasur më shumë të ardhura dhe kujdes shëndetësor”, thotë ajo për BIRN.

“Kërkuam punëtorë grekë. Shumica e stafit janë grekë nga Kosi që kanë punuar për mua prej vitesh. Por kjo nuk ndodh lehtësisht”, thekson Gianna.

Për të rekrutuar punëtorë grekë, shpjegon ajo, nevojitet përpjekje, reputacion i mirë, kushte të mira pune dhe respekt për punëtorët – “gjë që nuk është e lehtë për t’u gjetur në industrinë hoteliere dhe sidomos në hotelet e mëdha”, thotë ajo.

Megjithatë, një grek nuk do të pranojë të punojë në pozicione të ulëta, si larje enësh në kuzhinë, vëren ajo.

“Kur pagesa mujore për papunësinë është 500 euro dhe paga është 900 euro, brezi i ri nuk do të punojë lehtësisht. Brezi i ri është i përkëdhelur”, thotë ajo.

Për dy vite me radhë, Gianna thotë se hoteli ka pasur vështirësi në gjetjen e stafit, por këtë vit arritën të plotësonin vendet bosh me punëtorë nga Maroku dhe Filipinet.

Në fillim të këtij viti, qeveria greke miratoi 89,290 vende për punëtorë nga jashtë Bashkimit Evropian për të mbuluar boshllëqe në bujqësi, ndërtim, turizëm dhe punë të tjera afatshkurtra ose sezonale.

Në sektorin e turizmit, më shumë se 3,000 pozicione u miratuan për shërbime në hotele dhe struktura turistike (kuzhinierë, kamerierë, barist, recepsionistë, animatorë dhe staf tjetër), raportoi media greke Proto Thema.

Megjithatë, sipas sipërmarrësve të sektorit, rekrutimi i punëtorëve nga vendet e treta është një proces që kërkon kohë.

“Është një proces që ka disa çështje burokratike, kryesisht që lidhen me autoritetet tona konsullore, në mënyrë që viza e punës për në Greqi të mund të lëshohet shpejt. Prandaj, vërejmë se deri më sot intervistat e punëtorëve të interesuar nuk janë përfunduar, edhe pse janë miratuar nga pala greke dhe administratat rajonale”, thotë Tasios.

Hotzoglou beson se punësimi i punëtorëve të huaj nuk do ta shpëtojë sektorin e turizmit grek.

“Na mungon personeli i specializuar, të cilët nuk mund të zëvendësohen nga kolegë nga vendet e treta dhe kjo ka bërë që planet e qeverisë të dështojnë”, thotë ai.