Ballina Europë E frikshme/ Nuk ka qetësi për këtë vend, shpërthen sërish vullkani, evakuohen...

E frikshme/ Nuk ka qetësi për këtë vend, shpërthen sërish vullkani, evakuohen banorët

35
0

Një tjetër shpërthim vullkanik është regjistruar të mërkurën në mëngjes në gadishullin Reykjanes në jugperëndim të Islandës, duke ngritur për herë të nëntë alarmin që nga fundi i vitit 2023 dhe duke konfirmuar se rajoni po përjeton një fazë të re të aktivitetit të shtuar vullkanik.

 

Sipas Shërbimit Meteorologjik të Islandës (IMO), shpërthimi nisi pak para orës 4 të mëngjesit me orën lokale. Më vonë, autoritetet sqaruan se është formuar një çarje kryesore me gjatësi rreth 2.4 kilometra, si dhe një tjetër më e vogël me gjatësi rreth 500 metra.

Banorët janë urdhëruar të qëndrojnë brenda, për shkak të përqendrimeve të larta të gazrave toksikë në atmosferë. Televizioni kombëtar RUV raportoi se është evakuuar fshati bregdetar i peshkimit Grindavik, si dhe resorti i famshëm turistik Blue Lagoon, i njohur për ujërat termale.

Shefja e policisë, Margret Kristin Palssdottir, bëri të ditur se rreth 100 persona janë larguar në mënyrë të sigurt nga zona dhe se autoritetet kanë ndaluar edhe turistë që tentuan të afrohen te vendi i shpërthimit.

“E kuptojmë që është një fenomen mbresëlënës, veçanërisht për ata që nuk janë mësuar me këtë realitet, por siguria vjen e para,” deklaroi ajo.

Gjeofizikani i IMO-së, Benedikt Ófeigsson, sqaroi se ky shpërthim duket të jetë më i vogël në krahasim me ata të mëparshmit dhe nuk përbën rrezik të menjëhershëm për infrastrukturën.

Është për t’u theksuar se vetëm një ditë më parë, vlerësimet e rrezikut nga autoritetet islandeze nuk parashikonin një shpërthim tjetër para vjeshtës.

Që kur nisi ky cikël shpërthimesh në fund të vitit 2023, gati të gjithë 4.000 banorët e Grindavik ishin larguar nga shtëpitë e tyre.

Gadishulli i Reykjanes kishte qenë i qetë vullkanikisht për mbi 800 vjet, deri kur në vitin 2021 u regjistrua rikthimi i aktivitetit sizmik dhe vullkanik në zonë – një zhvillim që tani po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në jetën e përditshme të islandezëve.