Ballina Dossier Nga dyndja në ambasada, te provokimet e ikja e shqiptarëve, çfarë ndodhi...

Nga dyndja në ambasada, te provokimet e ikja e shqiptarëve, çfarë ndodhi verën e 1990-ës! Fjalimi i Xhelil Gjonit: Armiqtë duan të na risjellin në fuqi borgjezinë dhe bejlerët e përmbysur…

41
0

Ka qenë e enjte 12 korrik 1990. Dielli ka kohë që ka perënduar, mbrëmja me afishin e saj të nxehtë ku rënë mbi Tiranë. Një hënë atje lart, nuk mungon të ndriçojë. E premte 13 korrik, dita e re ka nisur të zbardhë, por ajo nuk është jo si gjithë të tjerat. Për shqiptarët ato dy ditë, do të jenë krejt ndryshe. Kush i ka përjetuar e di mirë, me çfarë lidhen, ngjarjet që përcollën. Ndonëse koha, vitet përcjellin, njëri-tjetrin, dhe si për çdo gjë, e kaluara diku ka lënë gjurmë, shenja e kujtime. Veçanërisht në Shqipërinë e periudhës socialiste, me situata politike- socialoartistike, personazhe të jetës, një pafundësi. Një e tillë është ajo kur sa herë, por edhe jo vetëm kur vjen korriku, do të shkoj në atë rrugë, Rrugën e Ambasadave. Do të ndalem tek një përkujtimore e derdhur në bronz, në sheshin në krahun lindor të saj, ku shkruhet “2 korrik 1990”, e vendosur thuajse përballë ambasadës gjermane. Pastaj do të kaloj tek një simbol tjetër, shumë i veçantë ku qëndroj për një kohë të gjatë, duke e parë, prekur, fantazuar. Tek një mur mbrapa kësaj ambasade ndodhet pjesa ballore e një Skode LIAZ, dhe sipër saj në dy gjuhë, shqip dhe anglisht lexon: “Kamioni që solli lirinë” dhe “ThE TRUCK THAT BROUGHT FREEDOM” dhe data: 2-12.02.1990.

Sa afër më duket, sikur po e prek historinë, sikur po ma rrëfen Ylli Bodinaku, shoferi, ai që e drejtoi atë automjet me sipër 40 vetë që goditi shembi murin e ambasadës gjermane, një çast që më rikthen emocionalisht te ai korrik i 1990-tës. Kemi dëgjuar histori me arratisje, por edhe me burgime për një lëvizje, mendim, dëshirë për t’u arratisur, por i mbetur në tentativë. Përballë kam atë kabinë dëshmitare, të një arratisje të madhe. Një arratisje-revoltë masive ndaj sistemit, censurës, diktaturës. Realizimit të një ëndrre, me një arratisje spektakolare: Jo me kalim kufiri, por futja në ambasadat e huaja në Tiranë. Kishim përjetuar futjen e familjes Popa, në ambasadën italiane me seli në Rrugën e Elbasanit, diçka e rrallë, e padëgjuar për kohën, falë guximit të njerëzve të asaj familjeje. Komente diskutimet, që vazhduan gjatë, tronditjen që morri qeveria shqiptare dhe si tentoi ta interpretonte atë veprim. Pa mundur të reagojë me forcë, përkundrazi e goditur botërisht, duke provokuar me bisedime me të dërguar në mjedisin e saj, për t’i bindur të dalin nga ai mjedis, por tentative të dështuara. Për të ardhur te ajo verë e 1990-tës.

TË BANOJE TE “SKËNDERBEJ”

Kam banuar në një apartament në katin e dytë, të pallatit pesëkatësh 114, te këndi, kthesa që futesh për në Rrugën apo Bllokun e Ambasadave. Rruga “Skënderbej” quhej me një tabelë metalike 40x30m e vendosur në fasadën e gjatë të ndërtesës dykatëshe plot dritare të stabilimentit, “Mihal Duri”, një tabelë që nuk ekziston më. E hequr e zhdukur pa lënë gjurmë, që për shumë arsye sot duhet të ishte ende aty. Si pjesë, dëshmi e atij segmenti rrugor, që nuk ka ndryshime rreth 600m veri-jug, me kulmet Rrugën e Durrësit dhe të Kavajës, të cilat i ka lidhur e vazhdon t’i bashkojë. Tejet e bukur e qetë, me disa hyrje-dalje majtas-djathtas, me një qarkullim të pakët të automjeteve. Me vila të bukura një dhe dy katëshe nga të dyja krahët e saj.

Me tre ambasada: Ajo ganeze, hungareze (Atasheu tregtar) dhe koreane, me një bashkëjetesë, me banorëve të asaj rruge. Ajo ganeze me një vilë dykatëshe, një oborr dhe një shesh të gjelbëruar, te dera e madhe metalike, një tabelë ku shkruhej “Ambasada e Ganës”. E përfolur edhe për historitë “rozë” të saj, dhe ku hynin e dilnin, luanin fëmijët e familjeve pranë saj. E vetme në krahun lindor, ndërsa dy tjerat në atë perëndimor, përballë ajo hungareze dhe e përmasave të mëdha, me një pllakë bronzi: “Ambasada e Republikës Popullore Demokratike e Koresë”. Jo dyqane, një “Pasuri Shteti” pas 100 metrave në hyrje nga jugu një gomisteri, dhe ngjitur me të dyqani i kosit. Po në atë krah, nga hyrja veriore një birrari, “Petro”, kështu njihej, nga emri i burrit që shërbente aty, tejet e frekuentuar, prej dërrase, me fuçiat e birrës jashtë saj. Dhe konvikti i studentëve të ILKF “Vojo Kushi”.

Në hyrje nga ana jugore, ajo dykatëshe e bukur e “Stërmasit”. Më pas një ndërtesë dykatëshe e mirëmbajtur e Stefo Grabockës, për të ardhur te ndërtesa e ambasadës ganeze. Duke vazhduar drejt rrugës së Durrësit, vila dykatëshe e familjes Selenica, Kamberi, dhe ato të Qinetit, Pashollarit. Përballë, në krahun tjetër, ajo e familjes Kokona, Aga dhe Misja. Vila dykatëshe e Panaritit, Shirokës, Stratobërdha, një tjetër e madhe dykatëshe, ku ka banuar familja Treska, Karaxho, Poga (sot ambasada gjermane). Pastaj tri vilat njëra pas tjetrës, që janë edhe sot (ish-ambasada greke). Për të vijuar me të Aranit Çelës, familjes Dindi.

FAMILJET, EMRAT, PERSONAZHET E NJOHUR

Ajo ka qenë dhe mbetet rruga e tre prokurorëve, gjykatësve të njohur, familjeve të tyre, të tre me banim nga ana perëndimore e saj. Thoma Thomo në një vilë njëkateshë, pas Stabilimentit “Mihal Duri”, Aranit Çela në vijim të rrugës, në një dykateshe dhe Shuaip Panariti në mesin e saj, edhe ai në një vilë të tillë. Te Skënderbej, kanë banuar edhe mjekët të shquar: Flamur Nishani te Vila e Stërmasve, ajo Cikuli, pas Stabilimentit, mjeku Zisa, gruaja e tij e huaj, Rashele, dhe djali Maksim Cikuli i ndarë papritur nga jeta disa vite më parë. Po kështu, familja e doktor të njohur kirurgut të shquar Frederik Shiroka, sot emrin e tij e mban spitali kirurgjikal te QSUT.

Familja e kirurgut Selaudin Mborja i diplomuar në Francë bashkë me djalin e tij, Emil, edhe ky kirurg në Elbasan. Si dhe mjeku Ilia Coka. Ku është sot ambasada franceze ka banuar publicistit, drejtori i parë i Radio Tiranës, intelektuali Gjergj Bubani, me djemtë Dionis dhe Loredan Bubani pranë tij familja Nase, e aktores së Teatrit të Kukllave, Bardhyle me djalin Mond, atlet, inxhinier, vajzat, Vjollca dhe bukuroshen Jeta Nase. Në hyrje të rrugicës “Sotir Peci” familja e avokati Petrit Starova, me fëmijët Didar dhe Sulejman, e vëllait të tij Pelash, ajo e Hysen Malucit. Drejt birrari “Petro”, në dy vilat vijuese, ishte familja Qineti, te vetmit në atë zonë, në atë kohë me një televizor të vogël “Rekord”, që kujtohet edhe për këtë detaj.

Në vilën tjetër pasuese familja Pashollari, Sadiu, inxhinier që kishte ndërtuar vetë, një vilë e bukur dykatëshe, me gruan që fliste turqisht. Me dy djemtë, Rasim dhe Semi, ky me dy fëmijët Qemalin dhe vajzën Ismihan. Po në atë vilë ka banuar edhe familja e Gaspër Dedajt, me fëmijët Loenard dhe Anunciata. Në oborrin e shtëpisë, ndodhej një kokë e madhe kaprolli. Përballë ku sot është ambasada kineze, kanë banuar familja Kokona, inxhinieri Tefik, apo Kiku siç e thërrisnin, Ylli dhe motra Briseda. Po në atë ndërtesë kanë jetuar familja e Satber Imamit, me motrën Guara. Ajo Misja me djemtë Pirro dhe kitaristin e njohur Edison, familja e Qazim Agës, gruan Nirma, shitësen e paharruar të bukës, me djalin Ilir, vajzën Vilma, me to edhe familja e Gogo Comorës, Duke shkuar drejt ambasadës gjermane sot, në një rrugicë të vogël pa dalje, ishin vëllezërit Shahu, Hysen dhe Muhedini me djemtë Gencin, Lolin, Agronin. Familja Panariti, për të ardhur te rrugica e plevneshëve, bashkë me mësuese Savetën, ka banuar edhe Robert Aliaj, këngëtari, shou-men, një personazh mediatik, ajo e Rrokut, berberit të famshëm në Tiranës, me dyqan në Broduei. Familja e doktor Shirokës, me gruan austriake, që vite më vonë, pas vdekjes (1955) të burrit, u largua nga Shqipëria. Po në atë vile, ka banuar kur doli në pension i ardhur nga Shkodra, mjeku Mborja, Aleko Dhima, dinastia Gjon: muzikanti, kompozitori i njohur Simon, Zefi përkthyes, Cin Simoni violinisti i orkestrës simfonike, pianistja Nina, dy vajzat Maria edhe kjo violiniste.

Përballë në krahun tjetër të rrugës ajo e Arben Kamberit, spikerit të njohur të lajmeve në TVSH, i cili raportoi, për ngjarje si çlirimi i Kosovës më 1989. Pastaj familja e doktor Stratobërdhës, ngjitur me ndërtesën aktuale të ambasadës gjermane, ku ka jetuar familja e diplomatit, intelektualit Misto Treska me fëmijët Natasha, Anna, Shpresa, Andrea, Zana. Familja Karaxho, me djemtë Edmond dhe Ilir, ajo Bimbli me dy djemtë, ajo Servet Bockës, përfaqësuesi i Shqipërisë në OKB. Në vijim të rrugicës, pas saj, ajo e Dashnor Pogës, me vajzën aktore-artiste Majlinda Poga, familja Mingomataj e stomatologut të njohur Cerciz, çiklistit Fatos dhe motrave, artiste në Teatrin e Operës, Shqipe mezzo soprano dhe Fitore soprano. Familja Shanto, e vëllait të dëshmorit, me fëmijët, djalin Vasil dhe motrën Sonja. Familja e shkrimtarit Aleks Caci, me tre fëmijët, Jordan, Irena dhe Limin, ajo e akademikut Stefanaq Pollo, më djalë e vajzë, Genci dhe Anila Pollon. Në bllokun me tre vila (Ish-ambasada greke), kanë qenë disa familje: Topalli, Beqir Sinani, profesor doktor Aleksandër Hoxha.

Familja e inxhinierit Aleko Dhima, Genc Kraja. Mbrapa familjes Cela, me djemtë Petja dhe Ylli, banonte diplomati Bashkim Pitarka. Ndërsa në vijim të rrugës, familja Dindi, e vajzës, violinistet, bukuroshes Marie “Marcela”, me motrat e saj, Vasilika, Shpresa dhe Anila. I ati Leonardi, më vëllain Engjëll, njiheshin si gjuetarë, me dy qentë që i mbanin aty. Kur ktheheshin nga gjahu dhe vrisnin ndonjë derr të egër, mishin ua shpërndanin familjarëve. Qiramarrës aty banonin familja e Margarita Karagjozit, ajo Coba, Karmen de Mistura, me djalin Mikel, ndërsa burri ishte ndarë nga jeta. Në rrugicën në krah, në një vilë njëkatëshe banonte familja e Palok Lekës, mekanik i njohur në Parkun e autobuzave me dy fëmijët, Tonin dhe Xhana. Pastaj familja Bukoviku, me djemtë Pavllo, Vasil, ajo Rushiti e 5 motrave, Vali, Vexhie, Afërdita, binjaket Leta e Moza dhe vëllain Ferdi. Visheshin mirë, se i ati shofer “Tir Albania” dilte jashtë shtetit. Familja e Violeta Sino, Kripa, Zepishta. Familja e Xhovani Kondakciut, operatorit të Kinostudios, me nënë italiane Mariucën dhe motrën Rozela. Mbrapa stabilimentin banonte familja e Dalian Ismailit, Kastriotin, Valin, Mimozën fëmijë, e Niko Rrenjës, dy djem Raqin Ladin, Efti Tereza Elenin, për të ardhur te familja Nonaj. Etleva, dhe vajzën tjetër Pesare, (Besa), me një emër të veçantë persianoturk).

Familja e mësueses së fizikës, me origjinë armene, Nevart Piranian, me vëllain Nubert, fatkeqësisht i ndarë në moshë të re nga jeta. Familja Zepishti, Lumja mësuesen e muzikës, dhe Lidia e Mirela vajzat. Ajo e Riza Lofcës, me vajzat Zana, Lida, vëllain e tyre; Familja Hadëri me fëmijët Adi e Vali, familja Malaj, e Sandrit, Gjergjit dhe Rozinës (Rozi) vajzës simpatike e njohur për dashurinë me futbollistin Jani Rama; familjes Kaloshi, ajo e Skënder Dakës, me zysh Ritën, Dianën e anglishtes, e profesor Qiricit, familjes së madhe Bakllava, ajo e kompozitorit të njohur Nikolla Zoraqit, familja Vorfi e Liza, futbollistit Lorenc. Familja e doktor Cikulit me tre fëmijët, Dr. Maksin, motrat Ema dhe Zana. Në hyrje nga Rruga e Kavajës (ish-Konferenca Peza), familja Stërmasi, Vera, me Elvanën, gruan e doktorit, tejet moderne dhe vajzën Eljan. Aty banonte edhe Njaziu me motor Vespa. Pastaj vila e dy vëllezërve Panteqi, Todit me tre fëmijë, vajzën Vasilika; Aristidhi, me trashëgimtarët, Shpesën (gruan e shkrimtarit Gaqo Bushaka), Kristaqin dhe Mihalin. Ndërsa motra e martuar me një rus të bardhë nuk kishte fëmijë. Ngjitur ishte familja Grabocka. Gjithashtu, ajo është njohur edhe si rruga e sportistëve, futbollistëve Sllavë Llambi, Pavllo Bukoviku, Sulejman Starova, basketbollistëve Roland Topalli e Gëzim Panariti, çiklistit Mingomataj, trajnerit të mundjes Riza Lofca, edhe e selisë së klubit Dinamo, ku kanë jetuar Stavri Luboinja, Lola Gjikuria.

Disa ndryshime, me idenë për ta transformuar atë segment në bllokun e ambasadave, atyre të shpërndara në Tiranë, duke i përqendruar aty, ato më të rëndësishmet si ajo franceze, gjermane, ceke, austriake, greke, etj. Për t’i kontrolluar më mirë dhe për të qenë më të sigurta. Me një polic gjithmonë në hyrje të tyre për 24 orë. Në dhjetor të 1974-trës, u larguan familjet e krahut lindor dhe më 1975 filloi prishja e ndërtesave, nuk u prekën ato të anës perëndimore. U ndërtuan vilat e reja për ambasadat, si dhe pallatet, për personelin, ato që janë edhe sot.

Pak më parë, më 1971 te tre vilat u vendos ambasada e Greqisë, më 1977, te vila e prokurorit Cela, ambasada e Austrisë, ndërsa më 1985, u larguan familjet, dhe ajo vilë u bë ambasada gjermane. Brenda atij blloku ishte dhe dyqani fruta-perime, ai i mishit ku tregtohej, shërbehej vetëm për familjet e ambasadave, dhe ku vetëm ato kishin të drejtë të blinin. Një lavanteri e madhe për to, një zyrë e shërbimi shëndetësor. Lëvizja e qytetarëve, kalimi i ndonjë autoveture vazhdonte të ishte i lirë. Kështu ka funksionuar deri në korrik të 1990. Rrethimi me telin një metër të lartë dhe postbllokun në të dyja krahët që ulej ngrihej vetëm për personelin e ambasadave u vendos pas 1990-tës, me forcat e rendit që ruanin me tre turne.

Korrik 1990. Ka qenë dhe mbetet një ngjarje përtej historisë së një vendi, Shqipërisë tonë. Në shumë drejtime. Për të cilën nuk kanë munguar rrëfimet, faqe pa fund, libra dhe që nuk do të ndalet kurrë së shkruari për atë fillim korriku. Ka mjaftuar një javë që të ndryshojë rrotën e historisë së një shteti, sistemi, të një populli, të ardhmen e tij, edhe pse në një formë shumë e dhimbshme. Ndër ata që ka përjetuar nga afër, atë javë, kam qenë edhe unë. Bashkë me të tjerë, nga ata që u futën, por edhe familjarë, miq, të afërm të tyre, jashtë mureve, rrethimit të ambasadave. Orë, net, ditë, javë ankthi, tensioni, si përcillej, çfarë do të ndodhte. Forcat e rendit, të sigurimit të shtetit reagimet e tyre, makina policie, gaza, vetura të dikastereve, që hynin dilnin. Askush nuk e dinte çfarë mund të ndodhte, si do të vijohej, cili do të ishte fati i atyre mijëra njerëzve.

Pastaj e nesërmja si e përjetoi një Tiranë largimin e tyre. Me sytë dhe veshët në portin e Durrësit, detin Adriatik, mbërritjen e tyre në Brindisi, Bari. Përpara një enigma totale, sa e frikshme, e pasigurtë, aq shpresë madhe. Ka qenë korrik 1990. Ka edhe një tjetër ngjarje që ndodh me 3 korrik, në mbrëmje, kur nga njerëz të panjohur u hodh një bombë në oborrin e ambasadës së Republikës së Kubës në Tiranë. Fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz, përveç thyerjes së disa xhamave dhe disa dëmtimeve të vogla. “Ky është një akt i ulët terrorist, dhe që nuk mund të mos indinjojë e zëmërojë popullin tonë”. “Zemërim dhe dënim i njëzëshëm i opinionit tonë shoqëror. Cilët janë këta njerëz që na shqetësojnë”- shkruhet në shtyp.

Sa herë që afrohet muaji korrik, më çon te ajo mbrëmje e paharruar, e 12-të korrikut, kur kam qenë dëshmitar okular, nga të paktët njerëz tejet i afërt me atë rrugë, atë natë. Orë pa fund, ankth, unë jashtë në rrugë, dhe miq, shokë, qytetarë, familjarë, gra, fëmijë, të dashuruar, të fejuar, të martuar që po largoheshin. Në një parakalim, njëri pas tjetrit dhe duke i ndjekur, përcjellë autobusët (jo fizarmonikë të Shkodrës) por “Saviem,” francezë, pak kohë që kishin ardhur në Tiranë, e që shërbenin në linjat urbane. Jo me fatorino, kujtoj shoferët, ndonëse vetëm siluetat e tyre mbaj mend. Edhe për ata nuk ka qenë e lehtë besoj, madje më se e vështirë, në një mision aspak human, përkundrazi po përcillnin shqiptarët që po iknin nga vendi I tyre, drejt trageteve. Edhe ata kanë qenë dëshmitarë më shumë se kushdo tjetër në atë mbrëmje të 12 korrikut.

Fizikisht dhe shpirtërisht. Po kështu edhe banorët e tre pallateve: Ai ku banoja unë, ai përballë me tulla të kuqe, ku jetonin disa familje, si ajo Mëzezi, Hamdiu me Benin dhe motrat, familja e publicistes Rita Petro, të gjithë në dritare, ballkone, me drita të fikura duke parë, ndjekur atë çfarë po ndodhte minutë pas minute. Kurrë më parë, as më vonë skena, situate të tilla. Po kështu edhe në pallatin ngjitur me Parkun e Xha Tonit (Ish-parku sportiv Konferenca e Pezës). Për të tjerët më poshtë, nuk kam mundur t’i shoh, por nga çfarë kam lexuar më vonë, deri te kthesa e “21 Dhjetorit”, dhe përgjatë rrugës drejt “Zogut të Zi”, njerëz, familje, duke shoqëruar me sy karvanin pa fund të autobusëve. Nuk e di sa kanë qenë, nuk i kam numëruar, pasi në rrethanat që ndodhesha , ishte e pamundur një përqendrim në këtë detaj.

Bëhet fjalë për një orë dore. Dikush e hodhi nga autobusi, pikërisht kur ai morri kthesën, për t’u drejtuar nga “21 Dhjetori”. Më tërhoqi vëmendjen zhurma e hollë, që e shoqëroi kur ra në asfalt, rrëshqiti disa metra duke u përplasur me rrethin e trotuarit të mesit, që sot nuk është, por që ka funksionuar në ato vite, ku rrotulloheshin kryesisht automjetet që dilnin nga blloku i ambasadave dhe merrini drejtimin për nga Banka, apo ato që vinin nga “21 Dhjetori” për t’u futur në atë rrugë. Ishin edhe të tjera sende që u hodhën nga autobusët. E morra. Nuk e nxora, dhe kur u ktheva në shtëpi e pashë. “Dunhill”, gjermano-lindore, burrash me rrip metalik të bardhë e tillë edhe fusha. E hedhur kuturu, me shpresën se mund të më orientonte, por pa asnjë shënim, se e kujt ishte dhe kujt mund t’ia dorëzoja. Punoi edhe një ditë, e pakurdisur akrepat e tij u ndalën. Ashtu e kam lënë. Sa kurioz do të isha të njihja njeriun që e hodhi, sidoqoftë duke mbetur një dëshmi e rrallë, e atyre orëve, ditëve që e shoqëroi personin, në qëndrimin e gjatë në ambasadë. Nuk e morri me vete, por zgjodhi braktisjen e saj. Ndoshta në një moment, edhe mund ta shfaq, si pjesë e atij muzeu të madh, të natës së 12 korrikut të “Rrugës së ambasadave”.

Me 7 korrik fillon punimet plenumi i 11-të i KQ të Partisë” shoqëruar me një fjalim Ramiz Alisë. Të nesërmen, me 8 korrik, “Zëri i popullit”, në faqen e parë aty ku jepet njoftimi për përfundimin e Plenumit, poshtë spikat një titull: “Përse mbahen qytetarët tanë në ambasadat e huaja në Tiranë? Lexojmë: Përse i mbajnë këta njerëz në ambasada, kur nuk ndiqen penalisht për hyrjen në përfaqësitë e huaja dhe as pengohen për t’u pajisur me pasaportë për të dalë jashtë shtetit? Është e qartë se i mbajnë për të krijuar gjendje tensioni e kundërshtimi ndaj ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar. Kjo vërtetohet dhe nga fakti që nga disa vende kërkohet të dërgojnë këtu ushqime, çadra, ilaçe, etj. me qëllim që t’i kthejnë oborret e ambasadave në kampe refugjatësh. Te ne është zot populli shqiptar dhe vetëm ai”.

Më 10 korrik jepet njoftimi: “U largua një grup qytetarësh shqiptarë që ndodheshin në ambasadën çekosllovake” Me 13 korrik: “Njoftim i Byrosë së Informacionit Publik të OKB-së. Në selinë e OK të Bashkuara në Nju Jork, në një deklaratë për shtypin njofton se përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm në Tiranë I ka raportuar Perez de Kuelarit se problemi i qytetarëve shqiptarë në përfaqësitë e huaja diplomatike është në rrugën e zgjidhjes. Gjatë vizitës së Sekretari të Përgjithshëm, Perez de Kuelar në Shqipëri, u sigurua nga autoritete shqiptare se procesi e demokratizmit të jetës do të vazhdojë pa kthim mbrapa”.

MITINGU DHE FJALIMI I XHELIL GJONIT

Më 14 korrik, në Tiranë do të organizohet një miting madhështor, ku janë të pranishëm mijëra, qytetarë. Një miting që nuk do të harrohet për ashpërsinë me të cilën e shfaqën drejtuesit e shtetit. Marrin pjesë anëtarët e Byrosë Politike, të Komitetit Qendror, etj.. Fjalën e rastit do ta mbajë Xhelil Gjoni. I cili ndër të tjera do të thotë: “Disa njerëz pa ideale e pa moral, të mashtruar apo naivë, duke shkelur mbi gjakun dhe eshtrat e martirëve, duke njollosur nderin dhe emri e nderuar të Shqipërisë, me sjelljet dhe veprimet e tyre u shërbejnë planeve të armiqve, të cilët duan të na sjellin përsëri në fuqi borgjezinë dhe bejlerët e përmbysur”. Po në atë numër, në faqen 4, në pak rreshta jepet njoftimi i ATSH-së: “Qytetarët shqiptarë të strehuar ditët e fundit në disa përfaqësi të huaja diplomatike të akredituara në Tiranë, u larguan jashtë shtetit me pasaporta të rregullta, siç parashikohet në dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të datës 7 korrik”.

RIKTHIMI NË RRUGËN E AMBASADAVE

Nga ajo natë e 12-13 korrik 1990 kanë kaluar 35-vite. Shumë prej atyre njerëzve, që morën, patën atë guxim për t’u future në ambasada, jetojnë, punojnë, të sistemuar, në vende të ndryshme, por edhe kanë ndërruar jetë. Kemi mundur të ritakohemi sërish, duke kujtuar mjaft momente bukura të një nostalgjie të papërsëritshme, pavarësisht nga ai sistem frenues, kufizues, antidemokraci, antiliri. Në çdo fillim korriku i rikthehem plot nostalgji asaj rruge, nga fillimi në fund të saj, si dikur, kur dilja nga pallati 114. Viti, ngjarjet e 1990, janë lënë pas, por rruga me historinë, banorët e saj ka mbetur në memorie. Aty tani, gjen lokale komode, mund të pihet një kafe, qëndrohet, pa asnjë pengesë, ndonëse në hyrje nga të dyja anët vazhdon të jetë, funksionojë postblloku.

Ndërsa ecën majtas djathtas, të kap syri ambasada, me pllakatë metalikë që të informojnë: Ambasada Britanike, e Greqisë, Spanjës (Konsullata), Palestinës, Kineze, Bullgarisë, Francës, Çekisë. Disa që kanë qenë nuk janë më aty. Ajo që të befason, është se kur ndodhesh parë atyre vilave, ngjitur me ambasadën e RF Gjermane dallon një moderne, të restauruar bukur dhe ku sipër saj me germa të mëdha, lexon tre germa “PSD”. Informohesh dhe mëson se është edhe një institucion politik, Partia Social Demokrate. Ndërkohë, sa herë që vjen 12-13 korriku rikthehem tek ato dy ditë. Ka qenë e enjte në mbrëmje duke u gdhirë e premte. Sot, korrik 2025, 12 korrik është e shtunë dhe duke zbardhur 13-të korriku është e ditë e diel.