Nga Lutfi Dervishi
Tirana është qyteti ku edhe hapësira publike ka nevojë për mbrojtje nga vetë shteti. Duket si paradoks, por është realitet: aty ku ka më shumë hapësirë, liria ngushtohet me shirit skene policie dhe me fadroma.
Prej ditësh, lokalet në zonën e Arenës në Tiranë po përballen me vizita të njëpasnjëshme nga policia bashkiake, IKMT dhe strukturat e tjera me fanelë reflektuese.
Po për çfarë bëhet fjalë?
Për një hapësirë që:
Nuk pengon askënd; këmbësorët ecin, bizneset punojnë, qytetarët gëzojnë.
Hapësirë që ka marrë vlerë jo falë bashkisë, por falë investimeve të vetë bizneseve.
Është hapësirë në sajë të se cilës jetojnë lokalet sepse hapësira brenda është sa një kuzhinë garsoniere.
Bashkia vetë përfiton nga taksat për këto sipërfaqe.
Sigurisht, hapësira publike është për qytetarët, jo për ta zaptuar. Por kur qytetarët janë vetë aty, duke konsumuar, duke shijuar qytetin, duke e kthyer në pikë atraktive, atëherë ky nuk është uzurpim, por jetë urbane.
Sigurisht që çdo shesh pallati është pronë e banorëve dhe jo e uzurpatoreve, por duhet dikush te kujtohet që në këtë stinë zjarresh nuk duhet që bashkë me të thatin të digjet dhe i njomi.
Fatkeqësisht, në vend të një rregullimi racional, ndërhyhet me brutalitet. Ndaj pamjet nga Arena sot i bënin turistët të pyesnin me sinqeritet:
“Po xhirohet ndonjë film këtu”?
Kur në një vend te qete ka më shumë efektivë policie sesa në një protestë, pyetja është: a duam të kemi qytet me jetë e rregull apo qytet vetëm me rregull?