Policia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme përreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Si rezultat, 7 administratorë lokalesh janë proceduar penalisht, ndërsa janë sekuestruar rreth 330 objekte që shërbenin për aktivitetet e tyre ekonomike, të vendosura pa leje.
Gjatë operacionit, është proceduar penalisht edhe një 40-vjeçar, punonjës në një prej lokaleve, i cili kundërshtoi punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) gjatë ndërhyrjes për lirimin e hapësirës.
Sipas Policisë, hapësirat e zëna përfshinin trotuare dhe vendkalime për këmbësorë, të bllokuara me tavolina, çadra dhe ulëse të vendosura nga subjektet përreth stadiumit. Aksioni u zhvillua nga Komisariati Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe IMT-në.
Personat ndaj të cilëve është nisur procedimi penal në gjendje të lirë janë shtetasit A. S., N. R., Xh. B., M. S., K. M., L. L. dhe B. K., nën akuzën për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Po ashtu, për shtetasin F. P. nisi procedimi për kundërshtim të punonjësit të shtetit.