Ballina Dossier 110 vjet nga vdekja e Mustafa Qullit dhe nevoja për të reflektuar...

110 vjet nga vdekja e Mustafa Qullit dhe nevoja për të reflektuar nga Akademia e Shkencave.

15
0

I jemi drejtuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me një kërkësë më datë 5 Qershor 2024 duke i kërkuar ndreqjen e falsifikimit të emrit të paraardhësit tonë Mustafa Qulli. Ishim në pritje të një përgjigjeje por kemi pritur kot. Është e qartë se institucioni qendror i akademizmit shqiptar po ndjek të njëjtën rrugë mohimi të dokumentuar me korrespondencë prej më shumë se 10 vjetësh.

Fatkeqsisht, na duhet ta themi publikisht se vazhdohet të cënohet pa të drejtë kujtimi i gazetarit rilindas Mustafa Qulli.

Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH 2008) ka zgjedhur trajtën osmane të emrit të tij (f. 1471-1472) duke mohuar atë shqiptare dhe kjo nuk është e gjitha.

Në faqet e FESH kërkohet të krijohet një legjendë kur shënohet se “shkruajti artikuj me pseudonimin Muço Qulli”. Nuk ka qoftë edhe një artikull të vetëm të nënshkruar prej Mustafait me trajtën Muço Qulli. Asnjë. Kjo trajtë e emrit është shkurtim i tij. Ai nuk është as pseudonim.

Parë në tërësi teksti i të dy zërave enciklopedikë, ai i Mustafait person dhe gazetës “Drita” (f. 534) të themeluar dhe drejtuar prej tij shihet qëllimi i mohimit të mbiemrit familjar shqiptar të Mustafait. Synohet të krijohet një legjendë me qëllim mohimin e identitetit të një autori shqiptar, “Dëshmor i Atdheut” Mustafa Qulli.

Ka vetëm një person dhe vetëm një autor me vetëm një trajtë zyrtare shqiptare emri shqiptar dhe ai është Mustafa Qulli. Trajta tjetër Mustafa Hilmi (Leskoviku) është trajtë osmane prej të cilës autori shqiptar ka hequr dorë në vitin 1913 e nuk gjendet në shkrimet e tij pas atij viti.

Fraza “me pseudonimin Muço Qulli” në f. 534 dhe f. 1472 të FESH 2008 është falsifikim i Akademisë së Shkencave me qëllim mohimin e identitetit shqiptar të një autori gazetar. Kjo është turp dhe bëhet edhe më e turpshme sepse heshtet. Vazhdon dhe sot mohimi e denigrimi i një gazetari autor i Rilindjes Kombëtare. Kjo është antikombëtare.

Por, pse, vetëm kaq? Mustafa Qullit akademikisht i mohohet edhe vepra. Në pamje të parë të fletëve të FESH 2008 duket si një mangësi teknike por në fakt kërkohet që vepra e tij të reduktohet në vetëm një zë enciklopedik gazete, “Drita” e Manastirit. Pse nuk shënohet tek gërma “P” e FESH 2008 zëri enciklopedik gazeta “Populli” që përmendet dhe pranohet në zërin enciklopedik të personit të tij në f. 1471-1472? Mustafa Qullit i mohohen dy edicione të gazetës “Populli” të themeluara dhe drejtuara prej tij në Vlorë dhe në Shkodër. Të dyja këto edicione mbajnë në çdo faqe të shënuar emrin Mustafa Qulli (M. Qulli). Por jo vetëm. Mustafa Qulli është edhe themeluesi dhe drejtuesi i një periodiku që u botua me vetëm një numër “Drita e Popullit”. Edhe ky periodik mungon në faqet e FESH. Të tre këta tituj identifikohen lehtësisht nga çdokush që ka një njohje të botimeve bibliografike të periodikëve shqiptarë. Pse nuk pasqyrohet kjo pasuri e jona kombëtare në faqet e FESH? E thjeshtë. Mustafa Qullit ashtu si i mohohet emri i mohohet edhe vepra. Flasim për periodikë që mund të shfletohen në shumicën e bibliotekave të qyteteve tona që kanë një fond arkivi madje mund të gjenden edhe on-line. Sa padrejtësi! Po, vetëm kaq …? Nëse enciklopedistët tanë do të ishin munduar pak për të kërkuar në arkiva e për të ndërmarr ndonjë hulumtim më të gjerë do të kishin gjetur se Mustafa Qulli është themeluesi dhe kryeshkronjësi i gazetës “Përlindja e Shqipënies” në Vlorë në vitin 1913. Ndonjë emër që përmendet si drejtor i atij periodiku është vetëm mielleujë i legjendës mohuese kundër autorit Mustafa Qulli. E jo vetëm ………. Mustafa Qulli është edhe themeluesi dhe kryeshkronjësi i gazetës “Bashkimi i Kombit” (1909), në Manastir.

Sa shumë e ke dashur Shqipërinë O Mustafa! Sa shumë ke punuar për Shqipërinë O Mustafa? Por …….. çfarë shpërblimi more në faqet e FESH-it të falsifikatorëve paidentitet shqiptar?

Por nuk mbaron me kaq. Në FESH shënohet edhe se si u vrave.

“U vra pabesisht nga forcat serbo malazeze …….”. Po pabesisht pse? A mos kishte ndonjë besë a marrëveshje Mustafa Qulli me serbo malazezët? Jo. As kishte, as mund të kishte sepse ishte nacionalist shqiptar në luftë pa kompromis me pushtuesit malazezë të Shqipërisë. FESH kërkon që të njollosë një hero edhe në vdekje. Sa turp për ata që kanë shkruar këto gënjeshtra! Sa turp për Akademinë e Gjinushit!

Letra jonë ishte një mundësi për kryetarin e rradhës së Akademisë të Shkencave që të distancohej nga falsifikimi dhe padrejtësia publike e FESH ndaj një personaliteti kombëtar. Duhet ta themi se edhe ky kryetar vazhdon rrugën e paraadhësve. Asgjë ndryshim nuk ka ndër vite në qëndrimin institucional akademik kundrejt rilindasit Mustafa Qulli.

Akademia e Shkencave duke mos ndërmarrë masat e kërkuara nga ne ose të kryente ndonjë veprim të përshtatshëm në gjykimin e saj për të ndrequr këtë vrasje enciklopedike mbetet në të njëjtat pozita si mëparë. Fatkeqesisht, FESH 2008 mban një qëndrim edhe më denigrues se Fjalori Enciklopedik i vitit 1985 kundrejtë figurës të Mustafa Qullit. Me pak fjalë, FESH që duhet të ishte burim dije dhe faktesh të besueshme disinformon dhe nuk distancohet nga falsifikimet e manipulimet antikombëtare në faqet e tij.

A mund të ndodhte ndryshe? Kryetari i sotëm i Akademisë së Shkencave, Ministër Arsimi i para viteve 90’ është përfaqësuesi më jetëgjatë në institucionet tona i diktaturës ramiziste. A mund të dilte ai nga tradita e mohimit të vlerave kombëtare, asaj të denigrimit të nacionalistëve shqiptarë? A mund të kishte ai një qëndrim të drejtë ndaj Zëvendësministrit të Arsimit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Mustafa Qullit? Si mundej ai të kishte një qëndrim të ndryshëm prej sixhaketave të vjetra hartues të zërave enciklopedikë Efigjeni Shkreli, Maksim Gjinaj dhe Hamit Boriçi ku Muço Qulli shqiptar mbetet ose osman (Mustafa Hilmi Leskoviku) ose pseudovlerë (pseudonimi Muço Qulli)? Akademikazani vetëm çorbëmohimin di të gatuaj.

Edhe pse Kryetari i sotëm i Akademisë së Shkencave nuk mund të jetë përgjegjës i drejtëpërdrejtë për zërat e Fjalorit Enciklopedik çfarë duhet të bëjë ai kur njoftohet personalisht për shkelje të tilla në veprimtarinë e institucionit që drejton, si p.sh. falsifikimi i emrit të një personi? Duhet të veprojë për ndreqjen e tyre. Para së gjithash për të treguar një ndjeshmëri njerëzore dhe intelektuale të institucionit “publik më i lartë që përfaqëson e mbart vlerat më të mira të shkencës, të kërkimit shkencor, të krijimtarisë dhe të debatit e bashkëveprimit të mendimit shkencor në vend”. Nëse, Z. Gjinushi nuk vepron ai është bashkëpunëtor me fajtorët e veprës penale të falsifikimit. Madje, edhe më keq, me mosveprimin e tij ai shpërdoron detyrën si kryetar i institucionit. Në këtë pikë Akademia e Shkencave ka një veprimtari të përsëritur në vite.

Por, ndoshta Kryetari i Akademisë së Shkencave as që do t’ia dijë për këto rreshta dhe ne shiejm kot. Akademia e Shkencave, Fjalori Enciklopedik, zërat enciklopedikë, të drejtat morale të një autori, identiteti kombëtar pëfffff …. ohuaaa janë nocione për të mbajtur gjallë kujtimin e tiranisë por jo vlerat e fisnikërisë shqiptare.

Sot, në vitin 2024, 30 vjet nga rënia e diktaturës dhe 100 e sa vjet nga rrëzimi i Perandorisë Otomane në këto troje nuk mundet që një ose dy apo edhe katër persona të disinformojnë dhe denigrojnë me rreshta enciklopedie një figurë historike si ajo e Mustafa Qullit dhe të vazhdojnë në të tyren, në heshtje, një vepër kriminale sikur pronarë të së vërtetës apo pashallarë të sarajeve pseudoshkencore. Kjo nuk është as standart enciklopedik dhe as shkencë por vetëm arrogancë pushteti i pandryshuar si para 90’.

Nëse z. Gjinushi nuk është i bindur për të ndërruar rrugën e triumfit të arrogancës otomane a nuk duhet të veprojnë organet kompetente ….

 

Botohet në përkujtim të 17 Korrikut 1915, 110 vjetorit të vrasjes së rilindasit, “Dëshmor i Atdheut” Mustafa Qulli.