Ballina Rajoni BE-ja kritikon Serbinë për stërvitjen ushtarake me Kinën

BE-ja kritikon Serbinë për stërvitjen ushtarake me Kinën

63
0

Stërvitja e parë ushtarake mes ushtrisë serbe dhe asaj kineze shënon një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.

Me këtë veprim, Serbia bëhet vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që zhvillon stërvitje të tilla me Kinën.

Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi më 14 korrik se stërvitja, e quajtur “Rojtari i Paqes 2025”, do të zhvillohet në gjysmën e dytë të korrikut, në provincën Hebei në veri të Kinës.

Viteve të fundit, Serbia ka blerë armë nga Kina, duke u bërë vendi i parë në Evropë që blen sistemin kinez kundërajror, FK-3.

Për shkak të qasjes ndaj Kinës dhe Rusisë, Brukseli e ka paralajmëruar disa herë Serbinë.

Edhe stërvitja ushtarake me Kinën u pa në të njëjtin kontekst kritik nga BE-ja.

“Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme”, ishte mesazhi nga Brukseli.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se blloku dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme evropiane, për parime dhe vlera të përbashkëta.

“Neve na duhet që Serbia të na bindë për drejtimin e saj strategjik”, tha zëdhënësi i BE-së.