Ballina Politika Sheiku i Ramës, miti i një miku të rremë të popullit shqiptar...

Sheiku i Ramës, miti i një miku të rremë të popullit shqiptar që po bëhet pronar i Shqipërisë

8
0

Me këto fjalë e nisi ditën sot kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai priti e përcolli Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan. Në vizitën disa e tij disa orëshe Rama e nderoi atë edhe me “yllin e mirënjohjes publike”.

“Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh; Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar… Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë” -tha Rama në ceremoninë e posaçme.

Por përtej skenografisë me tapet të kuq, yllit dhe lavdeve me superlative, ajo që ra në sy është etiketimi i sheikut si “mik i vjetër dhe i shtrenjtë i popullit shqiptar”.

Por çfarë ka bërë realisht Sheik Mohammed Bin Zayed Al Nahyan për popullin shqiptar për t’i merituar këto superlativa?

Disa vite më parë, Sheikh Al Nahyan u shfaq në Shqipëri si njeriu që do të sillte një ndryshim të madh me ndërtimin e aeroportit të Kukësit. E vërteta është që ai ndërtoi thjesht pistën, ndërsa terminali dhe operimi mbetën në dorë të qeverisë shqiptare dhe investitorëve të tjerë. Por aeroporti i Kukësit nuk u vu asnjëherë në funksion. Vetëm disa fluturime u kryen dy vjet më parë dhe asgjë më shumë.

Një investim që u shit si zhvillim për veriun e vendit, por që realisht nuk i ka sjellë asnjë zhvillim as këtij rajoni as Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Sheiku financoi më pas ndërtimin e disa banesave për të prekurit nga tërmeti i 2019-ës, por aty nuk ka hyrë asnjeri. Ato ngjajnë më shumë si dekor për propagandë, sesa një ndihmë reale për ata njerëz që humbën gjithçka.

Por pas këtyre “bamirësive” qendron një aferë e madhe, që fillimisht u shit sërish si dhuratë për shqiptarët, por që shumë shpejt u kuptua që ishte dhurata e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mikun e tij sheik.

Jo pak, por 2.2 milionë dollarë! Durrës Yacht Marina! Ky është projekti më i zhurmshëm, më i kontestuar dhe më pak transparenti që ka parë ndonjëherë Shqipëria.Një projekt që, në letër, i është dhënë investitorit arab Mohamed Alabbar, por që të gjithë e dinë se pas tij qëndron vetë sheiku i Ramës, Al Nahyan. Alabbar është vetëm kukulla e emirit.

Porti i Durrësit, një pasuri kombëtare e jashtëzakonshme, u dha me një procedurë të dyshimtë, pa tansparencë, pa garë, në shkelje të Kushtetutës thotë opozita. Janë mbi 800 mijë metër katror tokë shtetërore që emiri i merr falas, për të ndërtuar aty pallate, hotele e restorante, për t’i shitur për llogari të tij. Në fund, mund të ndërtojë edhe një port të vogël për disa dhjetëra jahte. Nëse nuk e ndërton portin, nuk do t’i hyjë asgjë në këmbë, pasi nuk ka garanci.

Për ta thënë më thjesht, Shqipëria ia dorëzoi kukullës së emirit portin e saj më të madh detar. Dhe ai që do të fitojë nga ky projekt është investitori, ai që do të ndërtojë dhe shesë apartamtet apo që do të shfrytëzojë hotelet, baret e restorantet.

Edi Rama po përpiqet ta shesë sheikun para shqiptarëve si një mik të këtij populli, sikur ai jeton duke menduar si t’u bëjë sa më shumë të mira shqiptarëve, si një njeri që ka investuar për të ardhmen e shqiptarëve, në arsim, shëndetësi etj.

Rama e pret dhe e përcjell më fjalë të bukura e me përqafime sikur paratë e tij po derdhen lumë për të ndryshuar Shqipërinë kur në fakt e vërteta lakuriq është ndryshe: Sheiku i Ramës po investon për interesat e tij në pronën e “popullit mik”.

Ai po hedh ca para në portin e Durrësit për të fituar shumë më tepër. Populli i tij mik do të mjaftohet vetëm duke i parë nga larg pallatet dhe hotelet e luksit, pasi për t’i blerë, as që arrin t’i ëndërrojë. /Zoom.al