Princi Harry vizitoi Angolën si pjesë e një partneriteti me organizatën bamirëse Halo Trust, e cila specializohet në pastrimin eminave të ish-zonave të luftës. Duka i Sussex ndoqi gjurmët e nënës së tij, princeshës Diana që bëri të njëjtën gjë vite më parë.
“Fëmijët nuk duhet të jetojnë kurrë me frikë kur luajnë jashtë ose kur shkojnë për në shkollë”, tha Princi Harry, në lidhje me kërcënimin e vazhdueshëm që minat tokësore paraqesin për civilët.
Princi Harry ishte në Angolë duke mbështetur punën e Halo Trust, organizatës bamirëse që Princesha Diana kishte mbështetur gjatë vizitës së saj në vendin e Afrikës Qendrore në vitin 1997.
Imazhi i princeshës duke ecur nëpër një fushë me mina, e veshur me veshje mbrojtëse, gjatë një armëpushimi në luftën civile të gjatë të vendit, kishte tërhequr vëmendjen globale ndaj rrezikut që paraqesin minat e lëna pas përfundimit të konflikteve.
Princi Harry vizitoi një fshat pranë një fushe me mina dhe u takua me fëmijë që po mësoheshin se si të shmangnin eksplozivët. Halo Trust ka pastruar 120,000 mina në Angolë, të mbetura nga vitet e luftës civile.
Rreth 60,000 njerëz janë vrarë ose plagosur nga minat tokësore në Angolë që nga viti 2008 dhe rreth një mijë fusha të minuara ende nuk janë pastruar.
“Mbetjet e luftës vazhdojnë të kërcënojnë jetë çdo ditë”, tha Princi Harry.
Këtë javë, Princi Harry u takua me presidentin e Angolës, Joao Lourenco, duke mirëpritur mbështetjen e ripërtërirë të qeverisë për punën e organizatës bamirëse.
Në janar të vitit 1997, Princesha Diana u fotografua në Angola në një moment që simbolizoi përpjekjet për të ndaluar dëmin e shkaktuar ndaj civilëve nga minat tokësore.
Kjo shkaktoi polemika, pasi princeshën e kritikuan disa politikanë për pikëpamjet e saj. Por fusha e minuar ku ajo eci në vitin 1997 është pastruar dhe vendi tani është një komunitet i lulëzuar, me fëmijë vendas që ndjekin Shkollën Princesha Diana.