Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Apeli, por edhe Gjykata e Lartë kanë shkelur Kushtetutën dhe i kanë cënuar lirinë ish-gjyqtares, Mimoza Margjeka.
Konstatimi është bërë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka pranuar një ankimim të bërë nga ish-gjyqtarja e Apelit të Korçës, duke shfuqizuar si anti-kushtetus vendimet e tre shkallëve të gjyësorit, që i refuzuan kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ish-gjyqtarja Margjeka u hetua nga SPAK dhe gjykua nga Gjykata e Posaçme për veprën penale të “korrupsionit”, vepër për të cilën në dhjetor 2023 dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, dënim që u konvertua në 3 vjet Shërbim Prove, shkruan A2 CNN.
Gjatë përballjes me drejtësinë, Margjeka qëndroi në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo kërkoi shuarjen e kësaj mase kur përmbushi afatin 9 mujor, kërkesë që u refuzua në të tre shkallët e gjykimit. Sipas Gjykatës së Posaçme, Apelit dhe Gjykatës së Lartë, në rastin e masës “arrest në shtëpi”, afati ligjor i fuqisë së masës ishte 18 muaj dhe jo 9 muaj, me arsyetimin se për “arrestin në shtëpi” nuk vlenin afatet kohore të “arrestit në burg”.
Tetë gjyqtarë kushtetues kanë arsyetuar në vendim se Gjykata e Lartë, duke përdorur disa metoda interpretimi ligjor, duket se ka krijuar në fakt një normë të re procedurale, sipas së cilës, kohëzgjatja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” është sa dyfishi i “arrestit në burg”, interpretim i vlerësuar si i gabuar.
Për shkak se masa ndaj gjyqtares është shuar në vendimin përfundimtar, dërgimi i çështjes për rigjykim nuk do të sillte rezultat për ish-gjyqtaren Margjeka. Në këtë mënyrë, Kushtetuesja është mjaftuar me shfuqizimin e tre vendimeve të kundështuara si të papajtueshme me Kushtetutën dhe konstatimin e cënimit të lirisë personale të ish-gjyqtares.