Një zbulim që pritet të ndryshojë hartën arkeologjike të Europës ka dalë në dritë në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit. Një bashkëpunim mes arkeologëve shqiptarë dhe atyre zviceranë ka identifikuar vendbanimin më të vjetër të dokumentuar ndonjëherë në kontinent, që daton nga periudha 8000 deri në 4000 vjet para erës sonë. Kryeministri Edi Rama ndau sot disa foto mbresëlënëse të Prof. Adrian Anastasi nga kërkimi arkeologjik në Lin.
“Në Lin, një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike po ndodh në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit.
Sipas arkeologëve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë, jeta në këtë vend daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s., duke e bërë Linin vendbanimin palafit më të hershëm të zbuluar ndonjëherë në Europë”, shkruan Rama.
Gërmimet në zonën e Buqezës kanë nxjerrë në dritë struktura të hershme prej druri nën ujë dhe gjurmë të një komuniteti që përdorte me zgjuarsi burimet natyrore nga bujqësia dhe blegtoria , te peshkimi dhe gjuetia. Ky strukturim tregon për organizimin e hershëm të jetës komunitare dhe mbrojtjen që banorët i ofronin vendbanimeve të tyre.
“Ky projekt, i cili u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe që falë bashkëpunimit me IKTK, sot e kemi të shpallur zonë arkeologjike nënujore”, shkruan Rama, ndërsa ka ndarë edhe këtë mesazh të prof. Albert Hafner nga Universiteti i Bernës: “Lini është të paktën 500 vjet më i vjetër se çdo vendbanim i këtij lloji i zbuluar më parë në Itali apo Spanjë.
Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.