Nga Afrim Ramadani
Historia njeh dy lloje gjeneralësh: ata që flijuan gjithçka për fitore dhe komb, dhe ata që fituan për t’u ulur në fron, duke kthyer bajonetën në kolltuk. Të parët janë të paktë, ndërsa të dytët – të shumtë e të zhurmshëm.
Kur përmendim emra si Erwin Rommel apo Helmuth von Moltke (gjermanë), Vo Nguyen Giap (vietnamez), Horatio Nelson (britanez), Georgy Zhukov (rus), William T. Sherman (amerikan),…,Ante Gotovina (kroat), flasim për heronj të heshtur që fituan me dinjitet, për burra që jetën e tyre ia dhanë fushëbetejës, jo fushatave politike. Ata nuk shisnin atdhe për pushtet, as gjakun e ushtarëve për karrierë. Shpesh, madje, i refuzuan nderimet politike me një përulësi burrërore, që sot është e rrallë.
Gjenerali legjendar Sherman do të thotë me zë të plotë:
“ If nominated, I will not run; if elected, I will not serve.” “Nëse më kandidojnë, nuk do të pranoj; nëse më zgjedhin, nuk do të shërbej!”Një refuzim i fuqishëm për kolltukun e shenjtëruar nga gjaku i të tjerëve.
Por jo të gjithë janë kaq të pastër. Ka të tjerë, që nga gjeneralë janë transformuar në mbretër: që uniformën e shndërruan në kurorë ose të njejtën e përdorën si trampolinë për pushtet personal:
– Napoleoni, që nga heroi i revolucionit, u bë perandor i vetëshpallur.
– Tito, që pasi fitoi me armë, sundoi me grusht të hekurt.
– Franco, Pinochet, Ataturk, Chavez, Gaddafi… të gjithë dikur ushtarakë me famë, më pas mjeshtër të politikës së frikës dhe idhuj të kultit personal. Është lehtë të luftosh me armë në dorë, më e vështirë është të dorëzosh pushtetin kur ai të ofrohet në pjatë. Ekzistojnë dy fytyra të gjeneralëve: ata të cilët dinë kur të heshtin dhe të tërhiqen dhe të tjerët që fillojnë të bërtasin sapo marrin mikrofonin e politikës.
Këta të fundit janë dyfytyrësh: “shpëtimtarë në luftë” dhe “sundimtarë në paqe”.
Ata shijojnë kajmakun e pushtetit, ndonëse betohen për sakrificë e ndershmëri.
Gjenerali i vërtetë është ai që kur fiton një luftë, ia lë kombit paqen. Ai, për të cilin uniforma nuk është licencë për të sunduar, ai që nuk sheh fronin si çmim, por popullin si amanet. Nëse pas betejës të tundon pushteti, atëherë nuk je më ushtar, por politikan i kamufluar.
Fundi i lavdisë, apo fillimi i lakmisë? Lavdia ushtarake është e përkohshme. Ajo zvetënohet kur gjenerali harron përse luftoi dhe fillon të ndërtojë pallate, të emërojë familjarë, të burgosë kritikë dhe të bëhet “udhëheqës i përjetshëm”.
Çfarë mund të themi ne të Ballkanit? Neve, që nuk na kanë prirë gjeneralë, por të ashtuquajtur “Komandantë”. Paradoksi qëndron në ate, se patëm ushtarë – të gjithë ishin komandantë të “Komandatëve”! Më vonë, të njejtit, nuk do të jenë më ushtarakë, por do të ngjiten në piadestal, do të pagëzohen si “Superstruktura” e shoqërisë!
Mesazhi për brezat! Le të mësojmë të dallojmë komandantin apo gjeneralin që lufton për vendin, nga ai që lufton për veten. Sepse, nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjë historia – por me vonesë dhe me çmim të rëndë.