Ballina Aktualitet Shpëtim Gjika del kundër projektit të fotovoltaikut që rrëmben Malin e Shashicës

Shpëtim Gjika del kundër projektit të fotovoltaikut që rrëmben Malin e Shashicës

66
0

sh kryebashkiaku socialist i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka dalë haptazi kundër rrëmbimit të 834 hektarëve tokë në Kaninë për të ndërtuar aty një central gjigand diellor.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Gjika ka treguar një histori se si toka, që qeveria po synon të tjetërsojë me projektin e parkut fotovoltaik, i mbijetoi edhe planeve të regjimit komunist për t’u kthyer në tokë bujqësore.

Statusi i Gjikës
Diku aty rreth viteve ’60 në mos gaboj, im gjysh, Xhebro Gjika, ishte drejtor i Fermës Blegtorale të Vlorës. Në atë kohë Partia dhe Qeveria, ndoshta për shkak të krizës ekonomike apo edhe mbase për aryse të mungesës së informacionit se për çfarë përdoreshin kullotat e Malit të Shashicës, vendosën arbitrarisht t’i prishnin ato dhe u dha urdhër të mbilleshin me patate për prodhimin e bukës.

Xhebrua, jo vetëm si drejtor, por edhe si blegtor dhe njohës i mirë i atyre anëve, e mbi të gjitha për shkak të karakterit të tij të drejtë e burrëror, e kundërshtoi me bindje vendimin absurd.

Vetë Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe, por edhe shok lufte e mik me Xhebron, zbriti nga Tirana në Vlorë për ta takuar e për t’u fjalosur me të. Pasi përshëndoshen e këmbejnë fjalët e para, Mehmeti hap çantën dhe i jep Xhebros një copë bukë të bardhë.

-Provoje xha Xhebro, i thotë, është bukë e bërë nga patatja dhe më thuaj është e mirë apo jo? E fut një kafshatë Xhebroja në gojë dhe pas pak bën sikur mbytet, e i bën me shenjë çobanit aty afër, i cili shpejt e shpejt i sjell një sapllak me qumësht.

E piu, kaptoi me të bukën me patate dhe pasi fshiu me të prapmen e dorës buzët e mustaqet i thotë Mehmetit:

-E mirë buka, e mirë. Por siç e pe nuk shtyhet poshtë pa një cikë qumësht!
Zoti dhe natyra na kanë falur Shashicën për kullota e blegtori, fushat e Myzeqesë për grurë e patate.

Nuk di ta them a ndikoi apo jo ky episod, që Shashica të mbetej ashtu si është deri më sot, pyje e kullota natyrore panoramike, një potencial turistik dhe ekologjik.

Deri më sot! Mbase edhe nesër.