Ballina Kuriozitete Zbulohet përplasja më masive e vrimave të zeza, sfidohen teoritë se…

Zbulohet përplasja më masive e vrimave të zeza, sfidohen teoritë se…

40
0

Astronomët kanë vëzhguar bashkimin më të fuqishëm të dy vrimave të zeza të regjistruar ndonjëherë, një ngjarje që sfidon kuptimin aktual mbi formimin e tyre dhe hap horizonte të reja në kërkimin kozmik.

E quajtur GW231123, përplasja u identifikua nga Observatori i Valëve Gravitacionale me Interferometër Lazeri (LIGO) në SHBA, në bashkëpunim me Virgo (Itali) dhe KAGRA (Japoni).

Sipas shkencëtarëve, të dy vrimat e zeza kishin masa prej rreth 100 dhe 140 herë më të mëdha se Dielli, duke e bërë bashkimin më masiv të këtij lloji të zbuluar ndonjëherë. Kjo përplasje prodhoi valë gravitacionale, valëzime të hapësirë-kohës të parashikuara nga Ajnshtajni në vitin 1915 dhe për herë të parë të zbuluara vetëm në vitin 2016.

Përplasja që bie në “hendekun masiv”

Vrimat e zeza të përfshira në GW231123 shfaqin karakteristika të pazakonta, duke përfshirë masat e tyre që bien në një zonë të quajtur “hendeku masiv”, një gamë masash ku sipas teorive aktuale nuk duhet të ekzistojnë vrima të zeza të formuara nga yje që vdesin. Kjo çon drejt hipotezës se ato janë produkt i një serie bashkimesh të mëparshme, jo i shembjeve të drejtpërdrejta të yjeve.

“Ky është një aludim i fortë se jemi përballë një procesi tjetër formimi”, tha fizikan Mark Hannam nga Universiteti i Cardiffit, pjesë e ekipit të LIGO-s. “Vrimat e zeza mund të jenë formuar nga bashkime të njëpasnjëshme, duke krijuar kështu gjigantë të rrallë të padukshëm në univers.”

Rrotullime jashtëzakonisht të shpejta

Një tjetër veçori që i ka habitur shkencëtarët është shpejtësia me të cilën vrimat e zeza rrotulloheshin, afër kufirit fizik të lejuar. Rrotullime kaq të shpejta janë të rralla dhe sugjerojnë një origjinë jo të zakonshme të sistemit binar.

“Kjo ngjarje sfidon modelet tona aktuale të sinjaleve të valëve gravitacionale,” tha Sophie Bini nga Caltech. “Modelimi i rrotullimeve kaq të shpejta është kompleks dhe tregon sa shumë ende nuk dimë për këtë fushë.”

Një dritare e re mbi evolucionin e universit

Shkencëtarët theksojnë se valët gravitacionale po shërbejnë si një “teleskop i ri” për të vëzhguar pjesë të universit që më parë kanë qenë të padukshme. Përpara zhvillimit të kësaj teknologjie, astronomët mund të vëzhgonin vetëm vrima të zeza që rriteshin duke thithur materie dhe duke emetuar dritë. Tani, mund të zbulohen edhe ato që bashkohen në heshtje.

Ekspertët presin që zbulime si GW231123 të jenë vetëm fillimi. Instrumente më të avancuara që pritet të ndërtohen në dekadat e ardhshme, si Teleskopi Ajnshtajn në Evropë apo Eksploruesi Kozmik në SHBA, mund të identifikojnë bashkime edhe më të mëdha dhe të largëta.