Tashmë është zyrtare, java e ardhshme do të ndajë Italinë në dy realitete të kundërta klimatike. Ndërsa veriu i vendit do të përballet me reshje të dendura dhe stuhi të fuqishme, pjesa qendrore dhe jugore do të goditen nga një valë të nxehti ekstrem, e përshkruar nga ekspertët si një ndër më të ashprat e dekadave të fundit, ndoshta edhe e paprecedentë në historinë e vendit.
Sipas raportimit të medias italiane La Repubblica këtë të diel, më 20 korrik, vala afrikane e të nxehtit, e njohur ndryshe si “Deveja”, ka filluar të shtrihet mbi Siçili, Sardenjë dhe Pulia, ku temperaturat kanë kapur tashmë 40°C. Madje, edhe në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit, termometri tregon rreth 30°C – një vlerë jashtëzakonisht e rrallë për klimën italiane.
Megjithatë, këto shifra janë vetëm parapërgatitje për atë që do të ndodhë nga e hëna në brendësi të lindjes së Siçilisë – sidomos në zonat midis Sirakuzës, Katanias dhe Kaltanisetas. Për shkak të faktorëve si erërat e forta, lagështia e ulët dhe distanca nga deti, temperaturat pritet të ngjiten deri në 45°C. Meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë që ato të kalojnë edhe 49°C, çka do të përbënte një rishkrim të historisë klimatike për Italinë dhe tërë kontinentin. Ky nivel do të thyente rekordin aktual evropian prej 48.8°C, i regjistruar në gusht 2021 në Floridia, provincë e Sirakuzës.
Ndërkohë, rekordi botëror prej 56.7°C, i vendosur në vitin 1913 në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, mbetet ende larg, megjithatë vendi vijon të tërheqë vizitorë që pozojnë pranë termometrit ikonik të Furnace Creek.
Nëse temperaturat në Itali arrijnë deri në 50°C në hije, do të krijohej një precedent i rrezikshëm për klimën e Evropës. Në kushte të tilla ekstreme, ndodhin ndryshime fizike të padukshme me sy të lirë: metalet zgjerohen, plastikat e buta deformohen, dylli dhe gjalpi shkrihen plotësisht, ndërkohë që rrjetet elektrike dhe infrastruktura rrezikojnë shembje të menjëhershme. Më shqetësues është fakti se edhe proteina në trupin e njeriut fillon të degradojë, duke shkaktuar probleme serioze shëndetësore si marrje mendsh apo humbje ndjenjash.
Meteorologu Mattia Gussoni nga ilMeteo.it e përshkruan këtë si “fytyra e re e verës së shekullit XXI”, një pasojë e qartë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore, e cila po sjell gjithnjë e më shpesh ngjarje ekstreme dhe të zgjatura në kohë.
Nga ana tjetër, ndonëse pjesa më e madhe e Mesdheut qendror dhe perëndimor do të përjetojë temperatura rreth 8 gradë mbi mesataren sezonale, veriu i Italisë do të ndodhet në epiqendrën e përplasjes atmosferike, i ekspozuar ndaj një cikloni që do të shtrihet edhe në pjesë të Evropës veriore.
Kjo do të sjellë reshje të mëdha në Alpe, si dhe në rajonet e Piemontes dhe Lombardisë, ku brenda pak orësh pritet të bien 100 deri në 150 mm shi, sasi që zakonisht bie gjatë një muaji të tërë. Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dheu në terrenet e pjerrëta.