Victor Osimhen është gati të largohet nga Napoli. “Tymi i bardhë” më në fund ka mbërritur, teksa klubi italian ka gjetur akordin me Galatasarayn për transferimin e sulmuesit nigerian.
Pas javësh negociatash, palët kanë finalizuar detajet financiare të marrëveshjes, me lojtarin që do të kalojë në Turqi për një shumë totale prej 75 milionë eurosh.
Siç raportohet nga Sky Sport, pagesa do të bëhet me këste.
40 milionë euro do të paguhen menjëherë, ndërsa 35 milionë eurot e mbetura do të ndahen në dy këste prej 17.5 milionë eurosh secila, që do të paguhen brenda një viti.
Marrëveshja përfshin gjithashtu një interes prej 10% për rishitjen e ardhshme të lojtarit, një përqindje për të cilën Napoli këmbënguli në fazat e fundit të negociatave, duke kërkuar një rishikim të kushteve të dakordësuara fillimisht.
Për më tepër, është futur një klauzolë e veçantë që kufizon mundësinë e një rikthimi në Serie A. Për 24 muajt e ardhshëm, nëse Galatasaray do ta shiste Osimhenin te një klub italian, ata do të duhet të paguajnë një kompensim të mëtejshëm financiar për Napolin.