Nigel Farage ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë ka rënë dakord të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë nga Britania.
Lideri i partisë Reform UK tha se ka qenë në komunikim me Edi Ramën, kryeministrin shqiptar, lidhur me një marrëveshje për dëbimin e kriminelëve shqiptarë.
Gjatë një konference për shtyp ku prezantoi politikën e partisë së tij për drejtësinë penale, z. Farage tha: “Jam në bisedime me Edi Ramën nga Shqipëria, dhe mendoj se ai ka rënë dakord që të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen në këtë vend, gjë që është mjaft pozitive.”
Këto komente vijnë pasi Farage e sfidoi Ramën në platformën X (ish-Twitter) që të merrte mbrapsht kriminelët shqiptarë, pasi e akuzoi për hipokrizi lidhur me deklaratat që kishte bërë ku e përshkruante Britaninë si një “vend i errët” pas daljes nga BE. Kreu i Reform UK tha se e gjithë platforma e tij politike do të kushtonte 17.4 miliardë paund, të cilat do të siguroheshin duke anuluar projektin hekurudhor HS2 dhe duke hequr politikën e neutralitetit klimatik (net zero).