Nga Namir Lapardhaja
Nëse Henrik Ibsen do të kishte njohur realitetin e Shqipërisë, nuk do të duhej të ndryshonte asnjë rresht nga drama e tij “Armiku i popullit”, shkruar në vitin 1883. Kjo vepër mbetet një nga manifestimet më të fuqishme letrare mbi përplasjen mes së vërtetës individuale dhe hipokrizisë kolektive, mes ndershmërisë qytetare dhe korruptimit të sistemit nga interesat.
Në qendër të ngjarjes është doktor Stokmani, një mjek i ndershëm dhe i përkushtuar, i cili zbulon se uji në banjat publike të qytetit është i kontaminuar dhe përbën rrezik për shëndetin. Kur përpiqet ta bëjë publike të vërtetën, ai përballet me një mur armiqësie – jo vetëm nga pushteti vendor, por edhe nga media, qytetarët dhe madje edhe familjarët e tij. Ai shpallet “armik i popullit”, vetëm sepse guxoi të tregojë të vërtetën.
E pabesueshme është ngjashmëria me shoqërinë tonë, ku shpesh ai që denoncon padrejtësinë apo korrupsionin cilësohet si përçarës, armik apo sabotues i “interesit kombëtar”. Shprehja e njohur “Zëri i popullit”, emri i gazetës në dramë, ngjan deri në sarkazëm me mënyrën si disa media shqiptare sot maskojnë interesat e ngushta të grupeve të pushtetshme duke u vetëshpallur përfaqësuese të opinionit publik.
Ibsen në mënyrë profetike na tregon sesi shumica, nëse udhëhiqet nga frika, interesi apo manipulimi, mund të përjashtojë, përndjekë e fyejë individin që përfaqëson mendimin kritik dhe zërin e arsyes. Dhe kjo ndodh edhe kur qëllimi i këtij të fundit është vetëm mbrojtja e të mirës së përbashkët.
Kur doktor Stokmani thotë se “burri më i fortë në botë është ai që qëndron më i vetëm”, ai vendos gishtin mbi një plagë të rëndë shoqërore: mungesën e kurajos për të qëndruar në anën e drejtë kur ajo bëhet e papëlqyeshme për shumicën.
Kjo dramë është një thirrje e fortë për të rinjtë shqiptarë që të mësojnë se e drejta dhe e vërteta nuk maten me numra, por me ndërgjegje. Ajo ka vlerë të jashtëzakonshme edukative për të zhvilluar mendimin kritik dhe për të kuptuar rolin që literatura mund të ketë në formimin qytetar.