Celeste Pin, ish-mbrojtësi 64-vjeçar i Fiorentinës, u gjet i pajetë më 22 korrik në banesën e tij në kodrat e Careggi, Firence.
Fillimisht, Prokuroria e shpalli ngjarjen si vetëvrasje, por për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes, është hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia. Sipas autoriteteve, ky veprim është teknikisht i nevojshëm për të zhvilluar hetime të mëtejshme.
Ish-bashkëshortja e tij, Elena Fabbri – nëna e dy fëmijëve të parë të ish-kapitenit të Fiorentinës – ka ngritur një padi për vrasje, duke kërkuar që ngjarja të hetohet më thellë. Ajo ka kërkuar kryerjen e një analize toksikologjike, si dhe kontrollin e mesazheve dhe thirrjeve telefonike në celularin e Pin. Po ashtu, ka kërkuar që shtëpia në Via dei Massoni, ku ai u gjet i vdekur, të vuloset për hetime të mëtejshme.
Ndërsa hipoteza më e mundshme për hetuesit mbetet vetëvrasja, padia e Elena Fabbris sugjeron një version tjetër të ngjarjes. Në vendngjarje nuk u gjet asnjë shënim lamtumire. Shërbimet emergjente mjekësore dhe policia reaguan menjëherë, ndërsa autoritetet po punojnë ende për të rindërtuar kronologjinë dhe rrethanat e vdekjes.
Tre ditë pas zbulimit të trupit, më 25 korrik, autoritetet urdhëruan që trupi i Celeste Pin t’i kthehej familjes për funeral, edhe pse hetimet janë ende në vazhdim.
“Nuk besoj në vetëvrasje”
Elena Fabbri e hedh poshtë kategorikisht mundësinë që ish-bashkëshorti i saj të ketë vrarë veten. Ajo rrëfen se mëngjesin e së martës, vetëm disa orë para se të zbulohej trupi, ai i kishte dërguar një fotografi ku dukej mirë dhe i kishte thënë se ishte gati të shkonte në punë.
Gjithashtu, Fabbri nuk beson në teorinë e një përkeqësimi të gjendjes së tij psikologjike. Edhe pse Pin kishte vuajtur më herët nga depresioni, ai përdorte të njëjtat ilaçe për më shumë se 40 vjet dhe ndihhej mirë. Sipas saj, ai ishte në formë të mirë fizike dhe mendore, me shumë projekte në zhvillim – përfshirë dhe angazhime në botën e futbollit.
Celeste Pin ishte një figurë e njohur në vitet 1980–1990, kur mbrojti ngjyrat e Fiorentinës. Ai kishte tre fëmijë: dy me Elena Fabbrin dhe një të tretë me bashkëshorten e tij të dytë, Gloria, me të cilën ishte martuar në vitin 2018.
Pavarësisht ndarjes, ai dhe Elena Fabbri kishin mbetur në marrëdhënie të mira. “Ai kishte shumë për të jetuar,” është shprehur ajo, duke e përshkruar si një njeri me energji, pasione dhe projekte për të ardhmen.