Ballina Politika Ferdinand Xhaferaj lajmëron lëvizjen për reformimin e PD-së: Do të nisë Foltore...

Ferdinand Xhaferaj lajmëron lëvizjen për reformimin e PD-së: Do të nisë Foltore 2

0
25

“Unë mendoj që Partia Demokratike është e dënuar të reformohet”, kështu u shpreh në një intervistë për TCH Ferdinand Xhaferaj.

Sali Berisha është në kërkim të kohës për të shuar  zemërimin e demokratëve pas disfatës së 11 majit, por për kritikët e tij me te fortë doktori është i destinuar të mos i shmanget më përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve.

“Nëse deri më 11 maj kishim një Berishë që kishte problem te shkuarën e tij, mbas 11 majit kemi një Berishë që po bllokon te ardhmen. Berisha duhet të tërhiqet. Më vjen shume keq që me sjelljen e tij politike, po projektohet si politikani më i dështuar dhe më i mjeruar i historisë së tranzicionit“, tha ai.

Një lëvizje e re është në horizont me qëllim largimin e njeriut që simbolizon pushtetin ne Partinë Demokratike. Xhaferaj paralajmëron se kjo vjeshtë do jetë e nxehtë për  demokratët. Gjithçka do nisë me një foltore numër 2, shembullin e dha vetë Sali Berisha katër vite më parë.

“Në vjeshtë dhe maksimumi në pranverë ju do shihni lëvizje. Modelin e ka dhënë vetë zoti Berisha me foltoren dhe Rithemelimin”, u shpreh ai për gazetaren Elda Menga.

“Po paralajmëroni foltore numër dy?”, u pyet nga gazetarja e Top Channel.

“Nuk e paralajmëroj, unë e ndjej, e prek është e domosdoshme, do të nisë. Ështe presion i brendshëm, nuk ka zgjidhje tjetër, të gjithë e kanë kuptuar, Berisha është kthyer në një monument kulture, që e mban Edi Rama mos të rrëzohet por e kanë braktisur shqiptarët”, zbuloi Xhaferaj.

Ferdinand Xhaferaj shmang emrat se kush mund të ishte pasuesi i Sali Berishës në Partinë Demokratike, por  një profil të tij e ka në mendje.

“Ka shumë potenciale dhe energji të reja PD. Të ketë një retorikë të qartë antikorrupsion, të ketë aftësi për të ndërtuar koalicione dhe këto modele i kemi parë në Bullgari dhe gjetkë, që kanë rrëzuar regjime më autoritare se ky i Edi Ramës”, tha ai.

Jashtë  grupit parlamentar për shkak të Sali Berishës, ish deputeti demokrat  nuk do e ndjeke si spektator  lëvizjen që pritet të nisë shume shpejt nga brenda partisë.

“Nëse kam tre vite që jam frymëzuar për të thënë atë që do bëjë Partia Demokratike, në këtë proces që do të nisi në mënyrë të padiskutueshme dhe do japë mbështetjen  maksimale se ja kemi borxh Partisë Demokratike që ky lidership i ri të ecë përpara dhe ka të gjithë mundësitë që të ecë përpara”, deklaroi ai.

Zëri kritik i Ferdinand Xhaferaj i shtohet korit të të pakënaqurve që kërkojnë ndryshimin e lidershipit drejtues të partisë duke nisur me Sali Berishën.