Ballina Politika “Të rikthehet dënimi me vdekje”/ Ashpërsimi i dënimeve, reagon Kreu i LZHK-së:...

“Të rikthehet dënimi me vdekje”/ Ashpërsimi i dënimeve, reagon Kreu i LZHK-së: Të tërhiqet Drafti i Kodit të ri…

23
0

Bëhet fjalë për ashpërsimin e dënimeve për krimet e lehta dhe lehtësimin e vrasësve të dënuar me burgim të përjetshëm.

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar shprehet në mbështetje të ndryshimeve të Kodit Penal pas 30 vitesh pasi ka nevojë për rishikim dhe ashpërsim të dënimeve për krimet e rënda si vrasjet, korrupsioni, krimi i organizuar, por vë theksin tek dy nga pikat më negative të gjetura deri tani dhe që bien ndesh me praktikën penale dhe morale qytetare.

LZHK vë theksin tek rikthimi i dënimit me vdekje në Shqipëri dhe tërheqja e këtij Drafti për Kodin penal në mënyrë urgjente, derisa të konsultohet me të gjithë faktorët.

Deklarata e plotë e LZHK-së:

“Kjo javë, si lajm kryesor ka draftin për Kodin e ri Penal, prezantuar pak ditë më parë nga Ministri i Drejtësisë. Ky draft ka ngjallur reagime të shumta dhe ka bashkuar si rrallë herë në një front të përbashkët grupet e interesit të lidhura me drejtësinë, sikurse janë shprehur deri më tani drejtuesit e Gjykatës së Lartë, të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të Prokurorisë së Përgjithshme, të Shoqatës Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë, konstitucionalistët, juristët, opozita politike, etj.

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar shpreh qëndrimin e saj se mbas 30 viteve të miratimit të Kodit Penal aktual, është e nevojshme të ndryshohet legjislacioni ynë penal me përkufizime më të qarta dhe masa që shkojnë në favor të mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të qytetarëve. Ndryshimi i Kodit Penal është i nevojshëm për të ashpërsuar dënimet ndaj krimeve shumë të rënda kundër jetës së njeriut, krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të drogës dhe krimeve të tjera të rënda dhe jo për t’i zbutur ato.

Në draftin e Kodit të ri Penal vihen re dy prirje të rrezikshme: njera është ajo që shkeljet e vogla i klasifikon si vepra penale dhe i dënon me burgim, gjë që është një masë represive ndaj qytetarëve, ndërsa tjetra është ajo kur vrasësit serialë të dënuar me burgim të përjetshëm përfitojnë falje!

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” ka një arsye më shumë që të reagojë për draftin e Kodit të ri Penal, sepse në mënyrë të vazhdueshme iu ka propozuar institucioneve të larta shtetërore që ndaj krimeve shumë të rënda kundër jetës të cilat janë në rritje, të rishikojnë sanksionet penale për t’i ashpërsuar ato dhe, për krime të veçanta deri edhe në rivendosjen e dënimit me vdekje.

LZHK në vazhdimësi është shprehur zyrtarisht dhe konkretisht: “Aktualisht krimi nuk ka frikë nga shteti, nuk ka frikë nga ligji. Vrasësi mendon se, përderisa është ndaluar dënimi me vdekje, të paktën do të jetojë, madje do të gjejë mënyra e mjete për të dalë nga burgu i përjetshëm. Prandaj është e domosdoshme që, për disa kategori të mirëpërcaktuara veprash penale shumë të rënda, në negocim dhe mirëkuptim me KE, të rikthehet dënimi me vdekje, deri sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE.”

Ky qëndrim i LZHK, jo vetëm që nuk u muar parasysh deri më tani por po tentohet e kundërta: Kodi i ri Penal krijon hapësira për lirimin e të burgosurve me burgim të përjetshëm, duke vërtetuar qartë vlerësimin që ka bërë opozita në vazhdimësi se, politika e niveleve më të larta në Shqipëri është e lidhur me krimin e organizuar, pse jo e urdhëruar nga krimi.

Për sa më sipër “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” rikonfirmon qëndrimin e saj se rikthimi i dënimit me vdekje në Shqipëri është domosdoshmëri!

“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” iu bënë thirrje institucioneve nismëtare që të tërheqin draftin e Kodit të ri Penal. Në të kundërt, ajo do t’i kërkojë çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile, çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ta kundërshtojmë me të gjitha mënyrat këtë draft”.