Ballina Politika BE përgënjeshtron Ramën: Nuk ishim pjesë e hartimit të draftit për Kodin...

BE përgënjeshtron Ramën: Nuk ishim pjesë e hartimit të draftit për Kodin Penal

13
0

Kryeministri Edi Rama reagoi sot për çështjen e Kodit të ri Penal. Ai u mundua t’ia ngecë këtë çështje Arben Rakipit, duke thënë se e ka hartuar ai draftin. Ndërkohë Rama tha se drafti nuk kalon pa vulën e BE-së. Por në një reagim për mediat, BE deklaroi se nuk ka marrë pjesë në grupet e punës për hartimin e draftit.

REAGIMI I PLOTË

Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.

Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.

Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.