Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj ministrit të Jashtëm Igli Hasani, pasi ky i fundit dërgoi një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare menjëherë pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha e akuzoi Hasanin si një “narko-ministër” dhe “avokat të farsës elektorale”, duke e cilësuar këtë veprim si provë të qartë se shteti dhe partia janë një në Shqipëri.
Sipas tij, një komunikim i tillë i takonte opozitës, jo Ministrisë së Jashtme.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Narko-ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme, duke faktuar pakundërshtueshëm se ai, njëlloj si Altin Troplini, është një ushtar i Edi Ramës, është një avokat i farsës elektorale të 11 majit 2025.
Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?
Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë.
Pra, letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale.
Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar.