Nga Irena Beqiraj
Në vitin 1956, Belgjika përfundoi autostradën e saj të parë, e cila lidhte kryeqytetin, Brukselin, me Ostendin, aty ku familja mbretërore kishte shtëpinë e saj verore. Autostrada u ndërtua posaçërisht për pushuesit dhe turistët ndërkombëtarë. Rruga e re solli padyshim një bum turistësh, aq sa ajo nuk ishte kurrë mjaftueshëm e gjerë në sezonin e pikut dhe mbetej pothuajse bosh gjatë sezonit tjetër.
Po ashtu, dyqanet dhe restorantet, apartamentet shumëkatëshe të ndërtuara përgjatë bregdetit, ndërtim i cili shkatërroi dunat dhe dëboi kafshët e egra shndërroheshin nga të mbipopulluara në boshatisura. Investimet e mëdha në turizëm nuk e shpëtuan qytetin nga vështirësitë ekonomike, i cili në vitet 1980 iu drejtua fondeve të veçanta europiane për të rimëkëmbur ekonominë e tij.
Asgjë jashtë logjikës ekonomike nuk ka ndodhur. Janë qasjet dhe narrativat e qeverisë që janë jashtë realitetit dhe kundër logjikës ekonomike.
Turizmi kërkon infrastrukturë intensive publike dhe private, e cila fatkeqësisht përdoret me kapacitet të plotë vetëm gjatë sezonit dhe është e vështirë të gjenden përdorime alternative për këto infrastrukturë gjatë periudhave të tjera të vitit. Përdorimi nën kapacitet i investimeve zvogëlon ndjeshëm kthimin nga investimi, duke rritur presionin mbi çmimet gjatë sezonit. Ky presion mbi çmimet rritet edhe më shumë, sidomos kur fasilitetet turistike janë të vogla, të fragmentuara dhe nuk përfitojnë nga ekonomia e shkallës.
Po ashtu, sezonaliteti në punësim ka bërë që pagat të jenë rreth 2.5 herë më të larta se produktiviteti i shërbimeve që lidhen me turizmin, duke rritur ndjeshëm kostot e ofrimit të shërbimit.
Ndërsa në Shqipëri turizmi zgjerohet, sektori bujqësor, i cili duhet të mbështeste këtë zgjerim, është në depresion, me 13 tremujorë në rënie. Vendi importon pjesën më të madhe të mallrave dhe produkteve thelbësore. Nëse vendi vazhdon të rrisë importet dhe të përjetojë rënie të prodhimit vendas për mallrat dhe produktet që konsumohen në territor, zgjerimi i mëtejshëm i turizmit pa asnjë dyshim do të shoqërohet me inflacion dhe rritje të mëtejshme të çmimeve.
Super-optimizmi i qeverisë për turizmin si sektori bazë mbi të cilin do të mbështetet rritja ekonomike, ka bërë që me lehtësi dhe dritëshkurtësi aty të alokohen shumica e burimeve të kufizuara financiare dhe njerëzore, duke dobësuar fuqinë dhe aftësinë e sektorëve të tjerë që përbëjnë një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm. Ndërtimi i hoteleve apo komplekseve të vilave i bën zonat përreth më pak të përshtatshme për qëllime të tjera, si bujqësi dhe agrikulturë, industri apo zona rekreative për vendasit.
Mbështetja e zhvillimit në turizëm dhe ndërtimi i hoteleve me pesë yje është rruga e sigurt drejt një ekonomie të tipit “Hawaii”, një ekonomi shërbimesh me produktivitet të ulët (pastrues, kamarierë), e cila do të duhet të blejë inteligjencën artificiale, teknologjinë, por edhe mallrat bazike të konsumit nga ekonomitë më të përparuara.
Si rrjedhojë e produktivitetit të ulët, i cili çon në standard relativisht të ulët jetese, krahasuar me botën përreth, “shkretëtirizimi” (ikja e njerëzve, fillimisht nga qytetet, më pas nga i gjithë vendi) është rezultati i pashmangshëm.
Për shembull, Ostendi, duke zgjedhur turizmin, humbi mundësinë për të qenë një pikë strategjike tregtare midis Francës, Anglisë dhe Belgjikës.
Po Shqipëria, çfarë ka humbur? Askush nuk është në gjendje t’i përgjigjet kësaj pyetje.
Por, si gjithmonë, duke refuzuar të kuptojmë si funksionon ekonomia, kemi gjetur, sa hap e mbyll sytë, “armiqtë” e përpjekjeve të lavdërueshme të qeverisë për krijimin e “Maldiveve të Europës”.
Ata janë vlonjatët dhe tamaqarllëku i tyre!