Ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Alesia Balliu, ka reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të opozitës, e më konkretisht ndaj një shkrimi të deputetit të PD, Luçiano Boçi, duke akuzuar drejtuesit e saj se po minojnë themelet e shtetit të së drejtës dhe po nxisin mosbindjen ndaj vendimeve gjyqësore.
Në një postim në rrjetet sociale, Balliu thekson se roli i opozitës është të kontrollojë dhe kritikojë qeverinë kur gabon, por gjithmonë mbi baza faktesh dhe parimesh ligjore.
Postimi i plotë i Balliut:
Një opozitë, Z. Boçi, s’mund të jetë antiligjore!
Qeveria ka përgjegjësi të madhe dhe duhet kritikuar kur gabon, kur abuzon me pushtetin, kur dëmton vendin. Kjo është detyra e opozitës të kontrollojë, të denoncojë, të mbrojë interesin publik. Por kritika bëhet mbi baza faktesh dhe parimesh, jo duke minuar themelet e shtetit të së drejtës.
Në rastin e zbatimit të një vendimi gjykate të formës së prerë vendim që ka ardhur pas një procesi ligjor, për një shkelje kontrate kundërshtimi i aktit vetëm sepse nuk i pëlqen politikisht opozitës nuk është mbrojtje e demokracisë. Është sulm ndaj vetë rendit ligjor.
Një opozitë që nuk pranon vendimet e gjykatës kur ato nuk i shërbejnë axhendës së saj, po dërgon një mesazh të rrezikshëm: se ligji nuk është i barabartë për të gjithë, por një mjet selektiv që përdoret vetëm kur shërben. Ky mentalitet nuk ndërton shtet. Ky mentalitet shkatërron shtet.
Kur përballë një vendimi gjykate të formës së prerë, opozita zgjedh të nxisë rrëmujën e të frymëzojë mosbindjen, nuk po bën opozitë konstruktive. Po ndjek shembullin e keq të liderëve që dikur kanë sulmuar median, kanë shkatërruar redaksi dhe kanë masakruar gazetarët e tyre.
Në vend që të ngrejë standardet, të ndërtojë besim te ligji, kjo opozitë po ecën drejt rrugës së rrënimit të rregullave, duke rrezikuar të na kthejë në një vend ku gjithçka bëhet sipas interesit të momentit.
Kjo nuk është demokraci. Kjo është antishtet.
Dhe kur shkelet ligji, nuk humbet vetëm një palë politike apo një media humbet Shqipëria.
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kene një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nane.