Një ngjarje e veçantë dhe plot simbolikë ka ndodhur në një dasmë shqiptare në Malësinë e Malit të Zi. Në ceremoninë e Samelë Cufajt, vajza e Seladin Cufajt, u ngrit një flamur i rrallë, i cili daton që nga vitet 1911–1912, duke e kthyer këtë dasmë në një moment historik dhe emocional.
Ky flamur i vjetër, dikur i ngritur mbi Deçiq dhe i dorëzuar bajraktarit të Grizhes, Tafil Grizha, është ruajtur me fanatizëm për më shumë se një shekull. Ai është trashëguar brez pas brezi si një amanet i shenjtë dhe është mbajtur i fshehur për dekada të tëra, larg syve të botës, për t’u nxjerrë në dritë vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Mimoza Rexhvelaj, e cila ndau historinë në rrjete sociale, theksoi se ky flamur është dëshmitar i betejave dhe sakrificave të të parëve për mbrojtjen e atdheut. Ai ka qenë simbol i besëlidhjes dhe dashurisë për tokën, një kujtesë e gjallë që lidh gjakun, varret dhe shpirtin e brezave shqiptarë.
Një dëshmi e fuqishme se rrënjët dhe traditat nuk shuhet as me kohën e as me brezat, përkundrazi, ato kthehen të gjalla në momente që bashkojnë krenarinë kombëtare me gëzimin familjar.