Ballina Ekonomia Analiza e BSH, çmimet e ushqimeve dhe qiratë rritën inflacionin në qershor

Analiza e BSH, çmimet e ushqimeve dhe qiratë rritën inflacionin në qershor

34
0

Inflacioni në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, duke reflektuar presionet e brendshme nga çmimet e ushqimeve dhe qirave. Ndërsa inflacioni i importuar mbetet i ulët, kërkesa e brendshme dhe kostot e jetesës po ushtrojnë ndikimin kryesor në formimin e inflacionit total, duke e afruar atë drejt objektivit prej 3% në muajt e ardhshëm.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni i brendshëm shënoi një rritje të moderuar, duke përforcuar rolin mbizotërues në formimin e inflacionit total, ndërkohë që inflacioni i importuar mbeti në nivele të ulëta.

Inflacioni arriti 2.4% në qershor – vlera më e lartë e regjistruar nga fillimi i vitit 2024. Trajektorja rritëse e inflacionit ka reflektuar kryesisht zgjerimin e kontributeve nga inflacioni i ushqimeve dhe nga nën-grupet e qirave. Në terma makroekonomikë, vijimi i zgjerimit të kërkesës ka ndikuar në ruajtjen e rolit mbizotërues të presioneve të brendshme në formimin e inflacionit total. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste nga jashtë mbeten të dobëta, në reflektim të një kursi ende të mbiçmuar të këmbimit të Lekut dhe rënies së inflacionit në partnerët tregtarë.

Profili i inflacionit në vend dhe në rajon ishte i ndryshëm me atë të vendeve të BE-së  

Inflacioni në vendet e BE-së u ndikua, kryesisht, nga rënia e çmimeve të karburanteve në tregjet botërore, veçanërisht në muajin maj. Kjo rënie nuk është reflektuar në tregun vendas. Nga ana tjetër, rritja e inflacionit në vend dhe në rajon u ndikua nga përshpejtimi i inflacionit të ushqimeve.

Analiza e inflacionit sipas kategorive kryesore të shportës së konsumit tregon për një kontribut pozitiv më të lartë nga inflacioni i grupit ushqimor dhe të qirave në tremujorin e dytë. Në veçanti, kontributi i nënkategorisë “perime” shënoi rritjen më të spikatur. Po ashtu, kategoria “Ushqime të përpunuara” rriti kontributin krahasuar me tremujorin e kaluar, e ndikuar nga rritja më e shpejtë e çmimeve në kategoritë “qumësht, djathë dhe vezë” dhe “vajra dhe yndyra”. Ndërkohë, kategoria “bukë e drithëra”, pas një periudhe dyvjeçare çmimesh të qëndrueshme, shënoi rënie të kontributit.

Nga ana tjetër, kategoria “Mallra joushqimore” kontribuoi me një vlerë pothuajse të njëjtë në inflacionin total. Ndërkohë, çmimet e karburanteve gjatë këtij tremujori, veçanërisht në muajin maj, në vendet e BE-së përjetuan rënie të dukshme, lëvizje kjo që nuk gjeti pasqyrim në tregun vendas. Megjithëse me rënie më të ngadaltë, kontributi i çmimeve të naftës në inflacion mbeti në territor negativ. Çmimet e komponentëve të tjerë më të qëndrueshëm të inflacionit kontribuuan në zgjerimin e tij, krahasuar me atë të tremujorit të parë të vitit 2025, me rolin kryesor nga nënkategoria strehim-qira.

Rritja e normës së inflacionit është ndikuar nga rritja e peshës së artikujve, të cilët kanë shënuar inflacion mbi 4%

Pesha e artikujve të cilët kanë shënuar inflacion mbi 4% u ngjit në 25% të totalit, duke qëndruar 10 pikë përqindje më lart krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Njëkohësisht, është ulur në të njëjtën masë – me 5 pikë përqindje – pesha e artikujve në grupet me inflacion 2% – 4% dhe grupin me inflacion nën 2%. Peshat respektive rezultuan 28% dhe 47% të shportës së IÇK-së për këtë tremujor. Matjet neto të inflacionit, me përjashtime të ushqimeve dhe të energjisë18, shënuan vlera në rritje në tremujorin e dytë, duke qëndruar mbi vlerat e inflacionit total. Kjo konfirmon persistencën e presioneve të brendshme inflacioniste, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra, thuhet në raport./ekofin