Një apartament luksoz në një zonë rezidenciale të Tiranës po jepet me qira për vetëm 55 mijë lekë në muaj. Ai është pjesë e listës së pasurive të sekuestruara nga krimi i organizuar, të cilat menaxhohen përkohësisht nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, derisa gjykatat të vendosin konfiskimin përfundimtar dhe kalimin e tyre në pronësi të shtetit.
Në këtë listë përfshihen apartamente, biznese, vila në Gjirin e Lalëzit dhe pasuri të tjera bregdetare, deri tek objekte të vogla si monedha ari apo edhe mjete pune. Sipas raportimeve, shumica e këtyre pasurive dyshohet se janë krijuar nga trafiku i drogës, ndërsa rastet që lidhen me korrupsionin janë shumë më të pakta.
Aktualisht janë të lidhura 291 kontrata qiraje, ndërsa vlera totale e të ardhurave të arkëtuara ka arritur në 100,392,918 lekë, ka bërë të ditur institucioni përmes një komunikimi elektronik. Si sfidë kryesore, zyrtarisht pranohet administrimi i pasurive të amortizuara, ndërsa jozyrtarisht shtohet edhe frika e qytetarëve apo bizneseve për t’i marrë me qira këto prona, për shkak të presionit apo kërcënimeve nga të akuzuarit.
Megjithatë, deri më sot është regjistruar vetëm një rast kanosjeje, i cili i është referuar prokurorisë për hetim. Vetëm gjatë vitit të kaluar, SPAK deklaroi se u konfiskuan pasuri me vlerë 27 milionë euro, që tashmë i kaluan shtetit.