Në takimin e zhvilluar në Uashington mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, një nga temat kryesore të diskutimit ishin territoret e pushtuara nga Rusia. Trump e konfirmoi vetë këtë duke deklaruar se “u diskutuan edhe territoret”, duke lënë të kuptohet se bisedimet nuk kufizohen vetëm në armëpushim, por edhe në çështjen e integritetit territorial të Ukrainës.
Këtë e dëshmon edhe një foto e publikuar në media nga brenda Zyrës Ovale, ku në tavolinë shihej një hartë e veçantë. Në hartë, me ngjyrë rozë, ishin të shënuara pesë rajone të pushtuara nga Rusia në Ukrainën juglindore, ndër to Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson dhe Krimea. Pjesëmarrja e kësaj harte në diskutim ka ngritur pikëpyetje për mundësinë që negociatat e ardhshme të fokusohen edhe tek statusi i këtyre territoreve.
Në këtë takim të ndërmjetësuar edhe nga liderët europianë, është bërë e qartë se pa diskutimin e fatit të këtyre rajoneve nuk mund të ketë një marrëveshje përfundimtare. Fotoja e hartës nga Zyra Ovale shihet si një simbol i qartë i sfidave që mbeten përpara procesit të paqes.