Ballina Politika Deputetët e rinj, të pastër! SPAK: Asnjëri prej 140 ligjvënësve nuk është...

Deputetët e rinj, të pastër! SPAK: Asnjëri prej 140 ligjvënësve nuk është nën hetim

43
0

Politikanët mund të rrinë të qetë edhe për disa kohë nga SPAK-u.

Të paktën ata që nuk ëndërrojnë të bëhen ministra. Një lajm i mirë vjen nga Prokuroria e Posaçme, nga ku, zakonisht, janë mësuar të dëgjojnë akuza për korrupsion, pastrim parash, shkelje në tendera dhe pengim të drejtësisë akuza që u ngritën zyrtarisht për këtë vit ndaj katër prej tyre dhe konkretisht ndaj Ilir Metes, Erjon Velise, Monika Kryemadhit e Klotilda Bushkës.

Dy të tjerë ish kryeministri Sali Berisha dhe Fatmir Mediu janë dorëzuar më herët si të pandehur në gjykatë. Sakaq për 140 deputetët e mandatuar të Kuvendit të Shqipërisë pas 11 majit, SPAK nuk ka regjistruar asnjëri prej tyre si person nën hetim.

Top Channel e mori këtë përgjigje nga SPAK-u, pasi i dërgoi emrat e deputetëve të shpallur fitues nga KQZ-ja. Për shkak të shumë akuzave publike nga të gjitha palët, të ngritura veçanërisht, para zgjedhjeve, pyetja ishte direkt: A ka deputetë nën hetim? Përgjigja e SPAK-ut nuk ishte aq e drejtpërdrejtë, por, tani për tani, mjaftueshmërisht e kënaqshme për politikanët e vjetër dhe të rinj, në maxhorancë dhe në opozitë.

“Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thotë SPAK për Top Channel.

Top Channel u konsultua me ekspertë penalistë për përgjigjen jodirekte të SPAK-ut, i cili nuk konfirmon a është dikush nën hetim, por thekson se zyrtarisht të 140 emrat nuk janë të regjistruar si emra nën hetim. Ekspertët thonë se praktika e deritanishme e SPAK-ut ka treguar se prokuroria e Posaçme regjistron një çështje pa emër konkret, mbledh prova rreth saj dhe më pas sapo e regjistron emrin në regjistrin e njoftimit të veprave penale jo shumë larg nga ky veprim  ngre akuzën qoftë edhe ndaj një politikani.

Deri tani, siç i pëlqen SPAK-ut ta vërë në dukje, nuk ka një regjistrim penal për ndonjë nga 140 deputetët e zgjedhur. Që do të thotë se deputetët socialistë, tani për tani, mund të presin me më pak stres përbërjen e re të kabinetit qeveritar, ndarjen e pushtetit në mandatin e katërt dhe ecurinë e karrierës në parti. Ndërsa deputetët e opozitës, mund  të bëjnë të qetë strategjinë kundër qeverisë 2025-2029.