Shkrirja e akullit detar në Arktik është ngadalësuar ndjeshëm në 20 vitet e fundit, sipas një studimi të ri shkencor. Sipas studiuesve, që nga viti 2005 nuk është vërejtur ndonjë rënie statistikisht domethënëse në shkallën e shkrirjes.
Ky rezultat është i habitshëm, pohojnë studiuesit, duke marrë parasysh faktin që emetimet e karbonit nga djegia e lëndëve djegëse fosile janë rritur vazhdimisht gjatë kësaj periudhe, duke bllokuar më shumë nxehtësi në atmosferë.
Sipas tyre, ndryshimet natyrore në rrymat oqeanike, që kufizojnë rrjedhën e ujërave të ngrohta në Arktik, mund të kenë neutralizuar përkohësisht efektin e ngrohjes globale. Megjithatë, kjo është vetëm një ndërprerje e përkohshme shkencëtarët paralajmërojnë se shkrirja ka shumë gjasa të rifillojë me dyfishin e shpejtësisë mesatare në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme.
Studiuesit theksojnë se kjo ngadalësim nuk do të thotë se Arktiku po rimëkëmbet. Sipërfaqja e akullit detar në muajin shtator, kur arrin nivelin më të ulët të vitit, është përgjysmuar që nga viti 1979, kur nisën matjet satelitore. Kriza klimatike mbetet “pa diskutim reale”, thonë ata, dhe nevoja për veprime urgjente për të shmangur ndikimet më të rënda mbetet e njëjtë.
Ndryshueshmëria natyrore që ka ndikuar në këtë ngadalësim lidhet kryesisht me luhatjet shumëdekadëshe në rrymat e oqeaneve Atlantik dhe Paqësor, të cilat ndikojnë në sasinë e nxehtësisë që depërton në Arktik.
Pavarësisht kësaj, Arktiku pritet të jetë pa akull gjatë verës në pjesën e dytë të këtij shekulli. Kjo do të ketë pasoja serioze për jetën e egër dhe popullsitë lokale, si dhe do të përshpejtojë ngrohjen globale përmes ekspozimit të oqeanit të errët, i cili thith më shumë nxehtësi.
Çfarë thonë studiuesit
Dr. Mark England, udhëheqës i studimit gjatë kohës kur ishte në Universitetin e Exeter, u shpreh:
“Është e habitshme që në një kohë kur diskutohet nëse ngrohja globale po përshpejtohet, ne flasim për një ngadalësim të shkrirjes së akullit.”
Ai shton: “Lajmi i mirë është se para 10-15 vjetësh, kur humbja e akullit po përshpejtohej, disa parashikonin një Arktik pa akull para vitit 2020. Por tani, ndryshueshmëria natyrore ka ndikuar në ngadalësimin e këtij procesi. Na ka dhënë pak kohë shtesë – por është vetëm e përkohshme.”
Studimi, i botuar në revistën Geophysical Research Letters, analizoi të dhënat e zonës së akullit detar nga dy burime të ndryshme për periudhën 1979–2024. Ngadalësimi u konstatua në të gjitha muajt e vitit. Për të kuptuar nëse kjo tendencë lidhet me ndryshueshmërinë natyrore, studiuesit përdorën mijëra simulime nga modelet klimatike. Rezultatet treguan se ngjarje të tilla nuk janë të rralla dhe se humbja e akullit vazhdon të përshpejtohet pas periudhave të ngadalësimit.
Prof. Julienne Stroeve, nga University College London, tha:
“Ne e dimë që të dhënat klimatike – qoftë për temperaturat apo akullin detar – mund të qëndrojnë të qëndrueshme për disa vite për shkak të ndryshueshmërisë së brendshme të klimës.”
Në një analizë të gjatë nga 1979 deri në 2024, ajo zbuloi se për çdo ton CO2 të emetuar, humben rreth 2.5 metra katrorë akull detar në muajin shtator.
Prof. Andrew Shepherd, nga Universiteti i Northumbria, theksoi se:
“Edhe pse sipërfaqja mund të mos zvogëlohet, shtresa e akullit po bëhet më e hollë. Që nga viti 2010, trashësia mesatare e akullit në tetor ka rënë me 0.6 cm në vit.”
Edhe temperatura globale ka kaluar periudha me rritje më të ngadaltë – për shembull, pas ngjarjes së El Niño në vitin 1998, pasoi një dekadë me temperatura relativisht të njëjta, e cilësuar si “pauzë”. Por edhe gjatë asaj kohe, planeti vazhdoi të grumbullojë nxehtësi.
Dr. England e bëri të qartë se ky ngadalësim nuk vë në dyshim realitetin e krizës klimatike: “Ndryshimi i klimës është padyshim real, i shkaktuar nga aktiviteti njerëzor dhe vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz. Shkenca themelore dhe nevoja për veprim të menjëhershëm mbeten të pandryshuara.”
Ai shtoi se është e rëndësishme të flitet hapur për këto ngadalësime, në mënyrë që të mos keqpërdoren nga ata që duan të minimizojnë krizën klimatike:
“Përndryshe, kjo do të përdoret me keqbesim për të minuar të kuptuarit e qartë që kemi mbi atë që po ndodh me klimën.”