Autoritetet franceze kanë nisur një hetim pas vdekjes së një 46-vjeçari gjatë një transmetimi live në platformën Kick, ku ai shfaqej shpesh duke përjetuar dhunë dhe poshtërime.
Ngjarja ndodhi në fshatin Contes, pranë Nicës, ku prokuroria ka urdhëruar autopsinë dhe ka hapur një procedim penal.
Viktima, Raphael Graven, i njohur online si Jean Pormanove, ishte bërë i njohur në Kick për videot ku bashkë-transmetuesit e dhunonin apo e poshtëronin përballë audiencës.
“Vdekja e Jean Pormanove dhe dhuna që ai ka pësuar janë absolutisht të tmerrshme,” shkroi në rrjetin X ministrja franceze për Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë Digjitale, Clara Chappaz.
Platforma Kick France deklaroi se do të bashkëpunojë me autoritetet dhe se ka nisur një rishikim të përmbajtjes në Francë. Ndërkohë, të gjithë bashkë-transmetuesit që u panë në live janë pezulluar deri në përfundimin e hetimeve.
Chappaz tha se përgjegjësia e platformave online për përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme është e detyrueshme me ligj, dhe se çështja i është referuar edhe rregullatorit të komunikimeve audiovizive Arcom dhe portalit francez Pharos.
Avokati i njërit prej bashkë-transmetuesve, Yassin Sadouni, deklaroi për BFM se viktima vuante nga probleme kardiovaskulare dhe se dhuna në video ishte e inskenuar. “Të gjitha skenat ndiqnin një skenar, nuk ishin reale,” tha ai.
Megjithatë, mediat franceze kanë publikuar fragmente ku Pormanove shihet teksa dhunohet, fyhet, mbytet, lyhet me bojë dhe vaj, madje edhe qëllohet me armë paintball. Nuk është ende e qartë nëse ai pranoi me dëshirë këtë lloj dhune apo u detyrua ta përjetonte.