Në këto ditë pushimesh vere, ku kryeministri pret e përcjell në vilën e Dhërmiut lloje të larmishme tipash me interesa shumëmilionëshe, për tokën, ajrin, detin e Shqipërisë, çakenjtë e qeverisë, ministrat, i qëndrojnë pranë. Gjithë jugu, bregdeti, rreth vilës së “Sulltanit”, është mbushur me ta. Janë në gatishmëri të plotë trupore për çdo thirrje në telefon. Ulsi Manja është njëri prej tyre.
I gatshëm për të thënë “Po Shef, këtu afër jam” në çdo minutë që kërkon “i madhi”, Ulsiu si një qingj i mirë, çdo ditë tregon devocionin e tij ndaj detyrës, që pretendon ta zgjasë edhe me “Ramsi 4”.
Përveç replikimit të çdo lajmi që Rama hedh në Fb-në e tij, Ulsi Manja gjithë verës i ka mëshuar Fb-së së tij. Sot tregoi me një status, për suksesin që ka ministria e tij, me shërbimin e përmbarimit të shtetit. Ulsiu mburret se janë mbi 6800 vendime gjyqësore, të ekzekutuara për shtatë muaj, kur në të vërtetë po vetë në reklamën e ministrisë lexohet se 6825 çështje kanë marrë “zgjidhje ligjore”.
Një truk banal ky, që Ulsi Manja me përmbaruesit e tij, e përdorën edhe me “ekzekutimin” e vendimit të gjykatës për “Neës24”. Gazetarët nuk u lejuan të futen në vendin e punës dhe as të marrin sendet e tyre pavarësisht se përmbaruesit e Ulsiut, i dhanë “zgjidhje ligjore” vendimit gjyqësor, duke mos e ekzekutuar atë. Por shashka e Kodit Penal dhe sulmi i “Neës24” u përdorën nga Ulsi Manja për të fshehur diçka tjetër – pazarin e noterëve që duhen licensuar në 3 shtator.
Një lojë vere e organizuar mirë dhe me kujdes, ku ministri në ikje është në qendër të saj.
Më 17 korrik 2025, pa shumë zhurmë Ulsi Manja firmosi një urdhër për hapjen e konkurseve për noterë të rinj në disa bashki të vendit. Urdhri del i publikuar më 23 korrik, dhe më 25 korrik, ministri “shpërtheu” draftin e Kodit Penal, që sfumoi çdo lajm për thuajse një dyjavësh.
Në këtë mënyrë u shmang kurioziteti dhe vëmendja ndaj pyetjes “Ç’ne noterë tani?”.
Disa noterë që i pyetëm nuk e dinin fare që ka një njoftim, pavarësisht se i publikuar. Ata u prononcuan duke na “treguar” ligjin. Ligji 110/2018 për Noterinë në nenin 10 fikson raportin 1 noter për 15000 banorë, bazuar në censusin e fundit të INSTAT.
Referuar Censusit 2011, Shqipëria kishte rreth 2.8 milionë banorë. Kjo përkthehet në një tavan maksimal prej rreth 186 noterësh aktivë në të gjithë vendin. Ndërkohë, Censusi i ri 2023, i nxorri shqiptarët edhe më pak, vetëm 2.4 milionë banorë.
Atëherë, ç’pati Ulsi Manja që kërkon të “pasurojë” Shqipërinë me noterë të tjerë, në mesin e verës së nxehtë 2025?
Sipas statistikave të noterëve ata janë rreth 450 në gjithë Shqipërinë. Me këtë numër dhe sipas ligjit nr. 110 të reformës në drejtësi, miratuar në vitin 2018, numri aktual është trefish më i lartë se ata që duhet të jenë. Pra, ka vend për “krasitje” e jo për shtim noterësh. Ka vend edhe për pyetjet thelbësore rreth kësaj lajthitjeje verore të ministrit Manja:
Sa vende janë aktualisht të lira për noterë të rinj sipas kërkesave të ligjit, 1 noter për 15000 banorë?
Si do ulet numri i noterëve për të “kapur” kërkesat e ligjit, kur në fakt po bëhet provim për rritjen e këtij numri?
Informacioni i nxjerrë “me grep” nga përfaqësues të Dhomës së Noterisë, me znj. Mimoza Sadushi në krye, na jep një të dhënë shumë dyshuese. Rreth 20 kandidatë të rinj për noterë, kanë kryer një stazh dhe shkollë për më shumë se dy vjet dhe janë gati të futen në një provim përfundimtar më 3 shtator.
Provimi i shpallur nga Ulsi Manja, me kujdesin e atij që bën një punë të mirë para se të largohet, kur është ende në detyrë dhe mund të mbyllë me sukses emërime dhe licensime.
Askush nuk do aludojë për thashethemet e pagesave të majme për t’u licencuar si noter (deri në 200 mijë euro), për t’u futur në rrugën që gjithsesi nuk përfundon më 3 shtator.
Ligji nuk e lejon as Ulsi Manjën t’i fusë noterët nëpër zyra me licencë. Por ata që do dalin me sukses nga provimi që do bëjë ministri, do presin sa të hapet “ndonjë vend” nga ministri i ri, ose… Ulsi Manja i mbijetuar në kabinetin Rama 4, do ndryshojë ligjin aktual.
Gjithsesi ‘projekti’ noteria edhe nëse ministri Manja largohet, e shoqëron atë me një largim “të lumtur”. Jo thjesht për “Kodin Penal ChatGpt” dhe zgjidhjen ligjore që i dha çështjes së gazetarëve të Neës24-ёs, por sepse ka mundësinë t’i japë sistemit të drejtësisë dhe babaxhanëve të tij, një frymë të re… me rreth 20 noterë të tjerë, që do i shërbejnë një Shqipërie gjithnjë e më të reduktuar në numër.
Në luftën kundër medias dhe zjarreve të pashuara në gjithë vendin, duket se qeveria Rama, por dhe opozita bashkë me të nuk e kanë vënë re, nevojën e Ulsiut për noterë të rinj, të atyre që kërkon t’i pagëzojë më 3 shtator. Mos vallë Ulsiu i ka hipnotizuar të gjithë?!/ Kapitali.al