Kapiteni i Jagiellonias, Taras Romançuk, ka paralajmëruar në konferencën për mediat se ekipi nuk duhej të nënvlerësonte kurrsesi Dinamon në ndeshjen e Ligës së Konferencës.
Ai ka shpjeguar se ekipi ka njohuri tashmë për lojën e bluve dhe shpreson që të fitojë ndeshjen e parë që të diktojë ritmin e vet në play-off.
“Kjo është një ndeshje me të vërtetë e rëndësishme dhe e dimë që do të jetë me vajtje-ardhje, ndaj do ta trajtojmë me kujdes, sidomos në sfidën e parë. Ne luajmë në shtëpi dhe ne e dimë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë këtu.
Nuk duhet nënvlerësuar Dinamo pasi është një skuadër e cila në turin e mëparshëm eliminoi një klub të fortë kroat. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm me ta. Por mendoj se stafi dhe trajneri kanë një plan për këtë ndeshje, duhet ta dëgjojmë këtë plan dhe ta ekzekutojmë në fushë.
Duhet ta përballojmë me mendje të ftohtë, pasi është një finale me dy ndeshje. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të zgjuar në fushë. Mbi të gjitha të përfitojmë nga rastet tona, të gjuajmë më shumë, të krijojmë më shumë raste dhe të bëjmë më shumë presing, sidomos në shtëpi. Shpresoj që tifozët të na mbështetin. Kam besim se do na japin një shtysë që në vërshëllimën e parë.
Kundërshtarët? Kam vënë re se luajnë një kundër një në çdo cep të fushës, janë agresivë dhe padyshim nuk do të dorëzohen asnjëherë.
Por ne jemi Jagiellonia, luajmë në shtëpi, jemi një ekip i fortë dhe shpresojmë që nesër të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Mendoj se duhet të dalim në fushë dhe bëjmë punën tonë. Gjëja më e rëndësishme është ndeshja e parë, të luajmë mirë dhe ta fitojmë atë”, deklaroi futbollisti i Jagiellonias.