Ballina Europë Bisedimet për krizën në Ukrainë, ministri i Jashtëm gjerman dyshon tek qëllimet...

Bisedimet për krizën në Ukrainë, ministri i Jashtëm gjerman dyshon tek qëllimet e Putinit

17
0

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore në Ukrainë po shtohen, por ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul është skeptik. Në intervistë me DW ai flet edhe për takimin e mundshëm Putin-Zelenski.

DW: Ndërsa Perëndimi kërkon një zgjidhje paqësore për Ukrainën, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul është në turneun e tij të parë zyrtar në Azi. Pas Japonisë, ai shkoi në Indonezi, ku biseduam me të. Ministër, a është bërë Ukraina, a është bërë Europa, një vend më i sigurt në ditët e fundit?

Johan Wadephul: Ka shumë mundësi që ky të jetë një hap drejt sigurisë dhe paqes. Në fund të fundit, presidenti amerikan ka qenë shumë i përkushtuar ndaj kësaj, aq sa tani edhe presidenti rus po e shqyrton që të ndalë me shkëmbimin e zjarrit, luftimet dhe sulmet kundër Ukrainës dhe të flasë për një zgjidhje paqësore me Ukrainën.

Është gjithashtu pozitive që presidenti amerikan po flet për garanci sigurie për Ukrainën. Këto janë shenja se, për herë të parë në këtë luftë të tmerrshme, një zhvillim i mirë mund të jetë i mundur. Por tani të gjithë presin të shohin nëse Vladimir Putin është vërtet gati ta përfundojë këtë luftë. Fatkeqësisht, gjërat ende duken shumë ndryshe në fushën e betejës.

DW: Siç e përmendët, është bërë e qartë se pa garanci sigurie nuk do të ketë paqe në Ukrainë. Presidenti Trump tha gjithashtu se pret që Europa, dhe veçanërisht Gjermania, të dërgojnë trupa. Kur dhe sa?

Wadephul: Po, kjo duhet të diskutohet në detaje dhe së bashku. Këto bisedime janë tashmë duke u zhvilluar. Po bëhen përgatitje të kujdesshme në aspektin e politikës ushtarake dhe të sigurisë. Megjithatë, do të këshilloja së pari të presim dhe të shohim nëse bisedimet do të zhvillohen. Dhe së dyti, nëse ato zhvillohen, duhet të shohim nëse mund të gjendet një marrëveshje e qëndrueshme. Për këtë, të gjithë presim Rusinë.

Gjermania ka treguar gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësi . Që nga fillimi, praktikisht menjëherë pas betimit, kancelari Friedrich Merz ka treguar çdo angazhim – duke udhëtuar për në Kiev, duke mbajtur shumë takime dhe së fundmi duke shoqëruar presidentin Zelenski në Uashington. Gjermania po merr përgjegjësi duke angazhuar si qeverinë ashtu edhe kancelarin.

DW: Tingëllon sikur ende keni dyshime serioze se takimi midis Zelenskit dhe Putinit do të zhvillohet. Sa serioze janë këto dyshime?

Wadephul: Epo, ka dyshime të dukshme, sepse presidenti Putin ende nuk ka thënë “po” për bisedimet. Presidenti Zelenski tha se është gati të zhvillojë një takim dypalësh me Putinin dhe më pas një takim trepalësh me presidentin Trump. Ku është “po”-ja e Putinit? E tëra çfarë shohim është se ai po sulmon Ukrainën çdo ditë. Ajo çfarë shohim është se ai po përdor taktika vonese. E tëra çfarë shohim është se ai po shpik justifikime dhe kushte të reja.

Më në fund ai duhet ta kuptojë se kjo luftë duhet të mbarojë. Në disa ditë në këtë luftë, Rusia humb edhe nga një mijë të rinj në luftë. Është një luftë krejtësisht e pakuptimtë që është shumë e dëmshme për Rusinë dhe popullin e saj. Edhe Putini duhet ta kuptojë se nëse nuk është gati të negociojë, do të ketë sanksione të mëtejshme. Evropa, mendoj edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat tani janë të përfshira, janë gati për këtë.

DW: Nëse ky takim midis Putinit dhe Zelenskit zhvillohet vërtet, ku mendoni se do të zhvillohet? Ka disa propozime – Gjeneva, Budapesti, Katari… A po ofron edhe Berlini të organizojë këtë takim?

Wadephul: Jo, nuk mendoj se Berlini ka ambicien për të pritur këto bisedime. Ne po marrim pjesë përmes propozimeve dhe mbështetjes. Jemi gati të flasim me çdo palë. E kemi treguar tashmë këtë dhe do të vazhdojmë ta tregojmë këtë në të ardhmen, por nuk shohim se kontributi ynë më i madh mund të jetë të jemi vendi i këtyre bisedimeve. Gjëja më e rëndësishme është që ato të zhvillohen. Ka shumë vende të mira në Evropë ku ato mund të zhvillohen. Mendoj se ai vend duhet të jetë sa më neutral të jetë e mundur. Në të kaluarën, Zvicra ka qenë gjithmonë shumë e mirë për gjëra të tilla.

DW: Ky është udhëtimi juaj i parë në Azi dhe njerëzit këtu po ndjekin nga afër përpjekjet për të filluar këto bisedime mbi të ardhmen e Ukrainës. Në varësi të rezultatit, a mund ta inkurajojë kjo Kinën të jetë më konfrontuese këtu në rajon?

Wadephul: Po, ky është një nga mesazhet që mora me vete. Ne e dimë që këto rajone krize janë të lidhura dhe ose do të mbrojmë rendin ndërkombëtar dhe paqen e bazuar në rregulla së bashku, ose do të humbasim këtë betejë. E ne nuk duam ta humbasim.

Këtu në Azi – kam qenë në Japoni dhe tani në Indonezi – njerëzit janë shumë mirënjohës që ekziston një qëndrim shumë i qartë në Evropë dhe në botë ndaj agresionit rus. Dhe pikërisht për këtë arsye kam thënë këtu se, për shembull, paqja në Ngushticën e Tajvanit është po aq e rëndësishme për stabilitetin rajonal sa edhe për ekonominë globale. Gjithashtu edhe për politikën ekonomike dhe sigurinë në Evropë. Njerëzit këtu e shohin këtë dhe e vlerësojnë që Gjermania i njeh këto probleme.

DW: Por, nëse supozojmë se do të kishte një bllokadë të Ngushticës së Tajvanit, cila do të ishte përgjigja e Berlinit? Si do t’i siguronit dhe mbronit rrugët e transportit detar dhe zinxhirët e furnizimit gjerman?

Wadephul: Për fat të mirë, e shoh këtë si një pyetje hipotetike dhe mund të përsëris vetëm thirrjen për të refuzuar dhunën direkte ose indirekte. Ky është qëndrimi ynë, e ky është edhe qëndrimi i praktikisht të gjitha vendeve fqinje në këtë rajon. Ndryshe, besoj se progresi në lidhje me luftën agresive të Rusisë ka treguar një gjë: shumë vende tani janë të gatshme të punojnë së bashku.

Ne shohim se ekziston një “Koalicion i të Gatshmëve” që mbështet Ukrainën, domethënë 30 vende. Ka edhe vende aziatike, për shembull Japonia, që e mbështesin atë. Pra, ky rajon ka të drejtë të kërkojë solidaritet nga ne për të njëjtën arsye. Po krijohen partneritete të reja globale, dhe kjo është ajo që dua të arrij këtu për Gjermaninë është që njerëzit të na shohin si të besueshëm. Ne po e tregojmë këtë dhe sigurisht që mund të presim të njëjtën besueshmëri prej tyre. Perspektivat për këtë janë shumë të mira.

DW: A nuk duhet të përfshihet vërtet Kina në bisedimet për të ardhmen e Ukrainës? Putini do të vizitojë Pekinin në fillim të shtatorit…

Wadephul: Kina po përcakton rolin e saj. Kina është një vend i rëndësishëm, një vend i madh që mund të ketë ndikim të madh politik, që ka ndikim të madh ekonomik dhe është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne i kemi bërë thirrje Kinës për një kohë të gjatë që të përdorë këto mundësi dhe të ndihmojë në përfundimin e luftës. Sepse pothuajse asnjë vend tjetër, asnjë qeveri tjetër, nuk ka një ndikim kaq të fortë në Rusi sa Kina. Fatkeqësisht, Kina nuk i ka përdorur mundësitë e saj deri më tani, por nuk është kurrë vonë.

DW: Pra, po thoni se do ta mirëprisnit këtë?

Wadephul: Po, sigurisht. Ne i kemi bërë disa herë thirrje Kinës. Dhe gjatë bisedimeve të mia të fundit me ministrin e Jashtëm Wang Yi, i bëra thirrje atij dhe udhëheqjes së shtetit dhe partisë kineze që t’i përdorin këto burime më qartë në marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Do të isha shumë i kënaqur nëse kjo thirrje do të dëgjohej në Pekin.

DW: Por gjatë udhëtimit tuaj ju e kritikuat edhe Kinën. E akuzuat për “sjellje agresive”. Kina reagoi menjëherë ndaj kësaj. Si i shohin aleatët tuaj indonezianë, partnerët tuaj kritikat që keni bërë këtu dhe sot?

Wadephul: Kjo kritikë nuk është e re. Dhe, sigurisht, është thjesht një reagim ndaj sjelljes negative që shohim gjatë gjithë kohës nga pala kineze. Ka pasur disa incidente serioze këtu në det, si dhe shkelje të vendimeve të gjykatave dhe kufijve të të drejtave sovrane. Dhe unë besoj se na lejohet t’i përgjigjemi kësaj. Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj. Ne të gjithë i nënshtrohemi të njëjtave standarde – në Evropë, Afrikë apo Azi. Përvoja ime në Azi më tregon se qëndrimi i Gjermanisë vlerësohet shumë. Nuk është një qëndrim anti-Kinë në vetvete, por është një qëndrim që mbron ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare. Dhe është një qëndrim i pavarur.

Gjermania i ofron Kinës në mënyrë të qartë partneritet dhe bashkëpunim, por ne për fat të keq shohim që Kina herë pas here tregon një anë krejtësisht të ndryshme të sjelljes së saj. Megjithatë, dora jonë mbetet gjithmonë e shtrirë dhe unë do të kërkoj mundësi të reja për të folur përsëri me Kinën./ DW