Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka komentuar zhvillimet e fundit dramatike në Serbi, ku protesta masive kundër presidentit Aleksandar Vuçiç po përshkallëzohen çdo ditë.
I ftuar në një studio televizive, Bytyçi e cilësoi situatën si të jashtëzakonshme dhe në prag të një konflikti të brendshëm.
“Mbështetësit e Vuçiçit po përleshen me studentët protestues në rrugë. Këto skena nuk janë parë as në Shqipëri në momentet më të tensionuara të historisë së saj. Në Serbi, mbrohet një diktator përmes dhunës. Mjafton një shkëndijë dhe askush nuk e di se si mund të përfundojë,” paralajmëroi ai.
Bytyçi theksoi se një destabilizim i mundshëm në Serbi do të kishte pasoja të menjëhershme për rajonin, veçanërisht për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Çdo zhvillim negativ në Serbi reflektohet automatikisht në fqinjësi. Ai ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e Shqipërisë, Kosovës dhe më gjerë, duke dëmtuar procesin e integrimit evropian për të gjithë rajonin,” u shpreh ai.
Sipas tij, tensionet aktuale nuk janë vetëm çështje të brendshme, por lidhen edhe me lojërat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan.