Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zhvilloi një bisedë telefonike “të mirë dhe përmbajtësore” me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, me fokus në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Vuçiç e cilësoi Maduron si “mik të madh” të Serbisë dhe e falenderoi për qëndrimin e tij lidhur me Kosovën.
“Serbia e vlerëson lart mbështetjen parimore dhe të qëndrueshme të Venezuelës për ruajtjen e integritetit territorial dhe për mosnjohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, shkroi ai, në platformën sociale Facebook.
Serbia ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Maduron, të cilin Bashkimi Evropian e konsideron si president të palegjitimuar për shkak të parregullsive zgjedhore.
Në janar, gjatë inaugurimit të Maduros për një mandat të ri presidencial, mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, veprim që u shoqërua me kritika nga Brukseli.
Maduro ndërkohë, ka probleme të mëdha dhe me SHBA.