Ballina Politika Berisha: Dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5...

Berisha: Dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës nga narkoregjimi i Tiranës

0
27

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mori pjesë në promovimin e librit “Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, ku gjatë fjalës së tij u shpreh me kritika të forta ndaj autoriteteve vendore.

Berisha theksoi se e dënon me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej pesë vitesh të shtatores së Rugovës nga ajo që e quajti “narkoregjimi i Tiranës”. Ai rrëfeu gjithashtu një histori personale lidhur me figurën e Rugovës, duke theksuar rolin e tij si politikan dhe misionar.

Kreu i PD-së kujtoi se gjatë luftës Rugova ishte rrëmbyer nga Millosheviçi, por ndërhyrja e miqve amerikanë, duke përfshirë ish-ambasadorin Robert Froulik, e shpëtoi atë. Berisha e përshkroi Rugovën si një gjen të kombit shqiptar, krahasuar me figura të shquara si Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare.

Ai vijoi duke theksuar se duhet të nderohet kujtimi dhe vepra e Rugovës dhe riafirmoi dëshirën e tij që shtatorja të rikthehet në vendin e merituar.

FJALA E BERISHËS:

Dhe tani meqë jemi këtu, do u rrëfej edhe një histori të shkurtër.
Gjatë luftës, e rrëmbeu, e mori peng Millosheviçi. Mirëpo miqtë tanë amerikanë, të ndikuar nga elita e UÇK-së, patën një zemërim me të dhe unë për rastësi ndodhi këtu, erdhi ambasador një ish-këshilltar i presidentit Regan, Klinton dhe Bush. Ishte Robert Froulik, një nga diplomatët më brilantë që mund të kem njohur.
Një ditë ulem në kafe më të. Do të them një gjë, i them. Këta, udhëheqja juaj, ka një ftohje me Ibrahimin, por dua t’u përcjellësh një gjë nëse mundesh, që politikani që bën betejë me misionarin, e ka të humbur gjithmonë.
Po të them unë, që Rugova, aq sa është politikan, aq është edhe misionar. Unë kam njohur Nënë Terezën, e cila rri gjithë ditën me të dhe atë botëkuptimin e shpreh me katër fjali.
Këta janë njerëz që përqendrohen në një setap fjalësh dhe i qëndrojnë gjer në fund. Nuk e fiton kush betejën me të.
Kur erdhi nga Roma, do vinte në Tiranë, por këta këtu bënë një akt të turpshëm. Këta kërkonin ta poshtëronin. Do vish, por jo si president.
Ai tha faleminderit dhe shkoi në Maqedoni tek kampet e shqiptarëve atje.
Aty e pritën në mënyrën më të jashtëzakonshme.
Prapë doli habia.
Të gjithë këta që kishin pasur vërejtje për të, që kishin menduar se i ka rënë autoritetin, e kuptuan se ishin gabim.
Njeriu që të nesërmen më thirri ishte Bob Froulik: Sali, më tha, ke pasur të drejtë.
Për ta mbyllur këtë ekspoze time, Rugova ishte një gjeni i kombit shqiptar, një gjeni i papërsëritshëm, siç është Skënderbeu në beteja dhe strategjinë e tij.
Siç është Nënë Tereza në forcën e jashtëzakonshme të moralit dhe parimeve që besonte.
Siç është Ismail Kadare në veprat e veta.
Ibrahim Rugova është në politikë.
Ndaj dhe duhet të përulem me nderimin më të madh para veprës dhe kujtimit të tij.
Të falënderoj edhe njëherë të gjitha këta zotërinj dhe zonjën që kanë organizuar këtë aktivitet në nderim të veprës së këtij vigani të veprimit dhe mendimit politik shqiptar.
Të dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës nga narkoregjimi i Tiranës.