Ballina Kronika Dogji mbetjet e biznesit që menaxhonte dhe ndoti zonën, arrestohet 44-vjeçari në...

Dogji mbetjet e biznesit që menaxhonte dhe ndoti zonën, arrestohet 44-vjeçari në Shkodër

25
0

Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi akuzohet për ndezjen e një zjarri të qëllimshëm, me qëllim djegien e mbetjeve në ambientet e një subjekti që ai menaxhon. Si pasojë e këtij veprimi, është shkaktuar ndotje e ndjeshme e mjedisit në lagjen “Bahçallëk”.

Raportohet se Gentian Gjuhca, 44 vjeç, banues në Shkodër, është kapur në flagrancë mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:30, në momentin që kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve në oborrin e subjektit të tij.

Veprimi i tij jo vetëm që ka rrezikuar shëndetin e banorëve përreth për shkak të ndotjes së ajrit, por ka ngritur shqetësime të mëdha në komunitet për mundësinë e përhapjes së flakëve edhe në zona të tjera.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka marrë në dorë dosjen dhe ka nisur procedurat për katër vepra penale: “Menaxhimi i mbetjeve”, “Ndotja e ajrit”, “Ndotja e ujërave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Policia e Shkodrës ka bërë thirrje publike për qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet që mund të dëmtojnë mjedisin ose të rrezikojnë jetën e të tjerëve, duke paralajmëruar se rastet e tilla do të përballen me forcën e ligjit.