Ballina Dossier Aventura e futbollistëve shqiptarë në Pekin: Ansambli meksikan i vajzave të bukura...

Aventura e futbollistëve shqiptarë në Pekin: Ansambli meksikan i vajzave të bukura që i la pa mend djemtë tanë

23
0

Nga Uvil Zajmi

 Familja Konçi, është një emër i njohur jo vetëm në rrethet sportive, por edhe më gjerë. Nga profesori, trajneri, personaliteti i shquar Zyber Konçi, mjeku Xhavit Konçi, Agimi, balerini i Ansamblit të Këngëve e valleve, dhe Lulzim Konçi, kuadër fizkulture edhe arbitër futbolli i FIFA-s. Sot drejt të 80-ave, sa në Tiranë, aq edhe në Nju Jork, te vajza, Konçi, kështu e thërrasin miq e shokë, bashkë me kafen, pi një cigare, si dikur, pa e tepruar. Një jetë e ndarë midis futbollit, edukatorit në disa shkolla të Tiranës, arbitrit dhe më pas vëzhguesit, deri kur u shkëput nga sporti aktiv. “Në Pekin, gjatë ndeshjes u kërkoja futbollistëve tanë të shkaktonin një faull të qëllimshëm, që unë të demonstroja kartonin, por më kundërshtonin, refuzonin, kishin frikë”, kujton Konçi.

Konçi, si e keni filluar karrierën e arbitrit?

Fillimisht kam qenë futbollist, mesfushor me të rinjtë e “Tiranës” pastaj me “Dinamon”. Nga vitet ’65, fillova të frekuentoj Sektorin e Arbitrimit dhe këtu nisi karriera si arbitër futbolli. Nga i Kategorisë së Parë, pastaj i FIFA-s në fillim të viteve ’70-të deri kur e mbylla rreth 1990-ës. Jam arbitër i brezit të edukuar nga Ramiz Kuka, Sami Kotherja, etj.

Keni drejtuar mjaft takime, deri edhe në Kinë?

Sigurisht. Si në kampionatet kombëtare edhe në ato ndërkombëtare, përfshirë takime me klube apo turne të ndryshme, si ai në Sofje 1979, (eliminatoret e Kampionatit Botëror) për të rinj në gusht 1979. Edhe në Lindjen e Largët, siç po e kujtoni ju, në verën e 1974-s.

U nisët asokohe për në Republikën Popullore të Kinës…

Bashkë më skuadrën përfaqësuese të të rinjve që do të nisej për atë turne miqësor, FSHF-ja më caktoi edhe mua si arbitër.

A kishte shpërblim? Si trajtoheshit financiarisht?

Nga ndeshja e parë që drejtova iu pëlqeva kinezëve, që, siç thoshin, “niveli i arbitrit shqiptar është mjaft i lartë dhe kemi nevojë të mësojmë prej tij”. Pas saj, i arbitrova të gjitha takimet dhe asistentët vendës që alternoheshin. Sigurisht që kishte disnivel edhe në arbitrim. Nuk kishte shpërblim financiar, ndërsa mua më kishin vënë një auto-veturë në dispozicion.

Vetëm me pak, disa fjalë që i mësuam aty, si “zoshang ho” (mirëmëngjesi), “ni ho ma” (si jeni), “peng” (mik), “tunze” (shok), “hao i” (natën e mirë), “la zhel” (eja këtu). Kujtoj se në pushim të takimeve, na sillnin arançata dhe pije freskuese të tjera, sepse ishte vapë e madhe.

Jemi në periudhën pas takimit Nikson-Mao Ce Dun, çfarë atmosfere politike mbizotëronte?

Në vitet ’70-të, marrëdhëniet kishin filluar të ndryshonin, por gjatë atij muaji, nuk kemi parë e konstatuar asnjë moment ku mund të shfaqeshin situata të ndërlikuara apo të tensionuara. Kudo ku shkonin, na shoqëronte një frymë e madhe e “miqësisë e pathyeshme”, siç thuhej në atë periudhë.

Vijmë te kartoni, si ju erdhi ideja?

Duke marrë informacion se në Kinë kartonët ende nuk kishin gjetur aplikim, kjo për faktin se Kina nuk ishte anëtare e FIFA-s. Futbolli kinez në ato vite, për motive politike, ishte i shkëputur, i izoluar nga bota e madhe sportive, pa pjesëmarrje me klube, kombëtare në evenimente e mëdha botërore.

E patët nxjerrë kartonin në takimet e zhvilluara?

Jo, se në ato ndeshje nuk kishte asnjë mundësi për të nxjerrë kartonë. Takimet zhvilloheshin në frymën e lartë të miqësisë e mirëkuptimit. Ishim të orientuar të silleshim korrekt, po kështu edhe kinezët. Ndonëse në një miqësore që pamë në Chiancin, diku, midis një skuadre ushtarake kineze dhe vietnameze, një katrahurë pa asnjë ndëshkim.

Ideja për të nxjerrë kartonin e verdhë, filloi të më ngacmojë, por duhej gjetur momenti e improvizuar diçka. Me kinezët nuk mundesha, duhej të provokoja me futbollistët tanë, që unë ta demonstroja publikisht.

Jemi në Pekin dhe luhej ndeshja e fundit, apo jo?

Gjatë javës, me Refik Resmen dhe Nimet Merhorin, në dhomën e hotelit diskutonin, duke iu thënë se si diçka e re e botërorit, kartoni i verdhë, është mirë që ta nxjerr këtu, që me të të njihen edhe kinezët. Por ata nuk ishin dakord.

“Mos na ngatërro”, – thoshte punonjësi i Sigurimit që na shoqëronte. Por, unë kisha vendosur dhe një natë para ndeshjes, Refiku i thotë atij të Sigurimit, që; “ky ka vendosur ta nxjerrë nesër kartonin e verdhë”!

Nuk i thashë askujt, përveç përkthyesit Lin, të cilit i tregova se nëse do të nxirrja një karton të verdhë, qëllimi ishte për t’i bërë të njohur edhe në Kinë, të rejat e FIFA-s.

Kishte refuzime apo kundërshtime?

Ndeshja u zhvillua në orën 10 mbrëmjes, prej temperaturave të larta dhe për këtë arsye takimet i luanin vonë. Gjatë lojës u thosha lojtarëve, nga kapiteni Starova, Tit Hysenit, (flamurmbajtësi ynë), që si mbrojtës të shkaktonin faull. Por askush nuk guxonte dhe nuk pranonte.

“Pse unë – thoshte njëri, – jo nuk u bëj faull kinezëve, do na dënojnë…” – thoshte tjetri. Kishin frikë. Gjatë 45 minutave të para, vazhdoi ky debat. Ishte vërtet bela, se një ndërhyje e rëndë, mund konsiderohej si veprim që edhe mund të cenonte miqësinë…!

Dhe cili ishte lojtari “viktimë”?

Pjesa e dytë, kur Dion Kushe, lojtar i ndershëm, ndërhyri ndaj një sulmuesi, unë vërshëlleva fort dhe gjatë, ndaj loja ndali. Pa hezituar, duke vrapuar, nxora nga xhepi i djathtë i pantallonave kartonin e verdhë, që ma kishte sjellë FIFA dhe me dorën e shtrirë lart, në mënyrë shumë të dukshme, ia drejtova Kushes. Ai u habit, por nuk foli, se ndeshjet kishin disiplinë. Madje, shkoi te lojtari i shtrirë, duke e përqafuar e kërkuar falje.

Kështu jeni arbitri parë i një kartoni?

Kujtoj se 100 mijë spektatorët shpërthyen në duartrokitje, se një veprim të tillë, nuk e kishin parë. Ndërkohë, Qendra e Zërit nisi të shpjegonte në gjuhën e tyre, se; “arbitri shqiptar, Konçi, ka nxjerrë kartonin e verdhë, që ka filluar të aplikohet nga FIFA pas Botërorit të Meksikës. Ky karton jepet si paralajmërim, për futbollistët që shkelin rregulloren”.

Natyrisht, dhe duke i përshëndetur, u ktheva nga tribunat duke i falënderuar e përkulur me dorën e djathtë në zemër. Loja u ndërpre për pak minuta dhe ajo rifilloi pasi nga fusha u largua stafi mjekësor, që i erdhi në ndihmë lojtarit të dëmtuar. Ai ishte i pari dhe i fundit karton. Nëse nuk do e nxirrja aty, rast tjetër nuk kisha.

Siç e thashë, ky ishte takimi i fundit i 9 ndeshjeve të turneut dhe u zhvillua në stadiumin “Punëtori” të Pekinit. Përballë ishte ekipi kombëtar i të rinjve, si ne, dhe ai u mbyll 2-1 për skuadrën tonë, me dy gola nëse nuk gaboj, të Metanit. Ndonëse rezultatet, siç dihej i përcaktonte miqësia, ne i fituam disa prej tyre.

Cila është historia me balerinat meksikane në Kinë?

Ishim në Pekin, kur në hotelin tonë, më i miri në atë kohë, me 12 kate, në tretin qëndronin përkthyesit, shoqëruesit, ne ishim në të 10-in. Aty vjen një grup artistik, me vajza të bukura meksikane. Ansambli “Juvenilja” quhej.

Flisnin italisht dhe djemtë tanë ranë në dashuri me to. Një natë e kishin lënë të takoheshin, e ndërsa ishin duke zbritur nga shkallët e emergjencës, u zbuluan.

Punonjësi i Sigurimit, kishte dëgjuar zhurmë dhe duke dalë, i kishte parë që të largoheshin fshehurazi me to. Na lajmëroi, dolëm, por ata ikën me vrap. U mblodh shtabi, e bë një mbledhje në orën 02:00 të mëngjesit në hotel.

Pikërisht, në atë periudhë një studente shqiptare, ishte dashuruar me një të huaj dhe si dënim, e kishin izoluar në ambasadë dhe kthimi në Shqipëri bëhej me vapor, 6 muaj udhëtim.

Për lojtarët tanë, bënë një diskutim të ashpër, “këta janë për burg”, bërtiste punonjësi i Sigurimit. “Jo, – kundërshtonte Resmja, – janë fëmijët e shokëve tanë”. “Edhe një herë po u folët atyre balerinave, do t’ju nisim për Tiranë”, – i urdhëruan dhe çështja u mbyll.

Çfarë kujtoni tjetër nga ai turne?

Udhëtimi, nisja nga Tirana në Iran, pastaj në Pekin. Avionët pa kondicioner, rruga e gjatë, futej ajri. “Po digjet avioni”, -bërtiste dikush nga frika. Atje flisnim pak italisht e ndonjë fjalë kineze. Kujtoj Ilir Bushatin kur driblonte kundërshtarët dhe Resmen që nevrikosej me të.

Ose kur na dërgonin të ndiqnim shfaqet operistike. Pastaj filxhanët e çajit, kompletet për dhurata që pa to nuk mund të vije nga Kina. Kthimi, pastaj nga Pekini, në Moskë dhe Budapest, ku qëndruam dy ditë.

Më flisni pak për Loro Boriçin…?

Në atë periudhë në Kinë, ishte mjeku Profit Cani. E gjetëm aty, bashkë me Loro Boriçin, që na priste me orë të tëra në aeroport. Shumë i thjeshtë, kinezët flisnin fjalët më të mira për të. Por, “ai me numër 10”, kështu thoshin për Resmen, pasi Refiku ishte lojtari më popullor shqiptar që njihnin kinezët, se kishte qenë disa herë atje.

Por shitëset në një supermarket, kur dalluan e njohën Gezdarin, si aktor në një film shqiptar, dhe për t’u siguruar thirrën përkthyesin dhe e pyetën.

Pas kaq vitesh, bashkë me kartonin….?

Ai ka qenë një muaj i paharruar, një grup të mrekullueshëm, lojtarë, trajnerë, pa harruar edhe përkthyesin Lin, me të cilin Resmja bënte shaka me gjuhën shqipe. Kartoni pati jehonë edhe në Shqipëri.

Kur u kthyem, të shtyrë nga kurioziteti, ai veprim tregohej me humor në mjediset sportive, apo në grupe miqësie, deri edhe në tren kur udhëtonim, më pyesnin: “Konçi na trego se si e nxore kartonin e verdhë, që habite kinezët…”! Memorie.al