Në fund të intervistës në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama u pyet për objektivin kryesor të mandatit të katërt, të rifituar nga zgjedhjet e 11 majit.
Pa asnjë hezitim dhe siç ka theksuar që prej fushatës e gjithashtu gjatë verës, ai përsëriti se mbetet integrimi në Europë. Madje për këtë, thotë se në vitin 2030 do ta bëjë intervistën në oborrin e Komisionit Europian, me flamurin shqiptar.
Blendi Fevziu: Cili është objektivi kryesor juaji në këtë mandat? Juaji personal, jo vetëm i qeverisë.
Edi Rama: Objektivi im kryesor është që në vitin 2030, ti bashkë me gjithë këta të jesh në Bruksel…
Blendi Fevziu: Unë e kam thënë publikisht që sa të jem gjallë s’kam për ta arritur.
Edi Rama: Sa gjëra ke thënë ti publikisht, s’të kanë dalë, por… te oborri.
Blendi Fevziu: Shumica më kanë dalë, në fakt.
Edi Rama: Te oborri i Komisionit Europian, nën flamurin shqiptar dhe të bëjmë këtë intervistë dhe aty pastaj do të ta kaloj ty stafetën.
Blendi Fevziu: Shpresoj që ti ta kesh këtë fat, megjithëse unë dyshoj.
Edi Rama: Do të ta kaloj stafetën.