Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasen italiane Angela Panzillo, 28 vjeç, e akuzuar për aksidentin e rëndë në autostradën Vlorë-Fier.
Vendimi u dha nga gjyqtari Fjoralb Behari, ndërsa ndaj saj rëndon akuza “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar në paragrafin e katërt të Kodit Penal, që parashikon dënime të rënda në rastet kur, si pasojë e shkeljeve, humbin jetën një ose më shumë persona.
Aksidenti ndodhi disa ditë më parë në aksin Vlorë–Fier, ku automjeti i drejtuar nga 28-vjeçarja me origjinë nga Napoli humbi kontrollin dhe u përplas me një tjetër automjet. Përplasja rezultoi fatale për dy shtetas shqiptarë, të cilët humbën jetën.
Për pasojë, drejtuesi i mjetit tip kamionçinë humbi jetën në vend, ndërsa disa orë më vonë ndërroi jetë në ambientet e spitalit edhe pasagjeri. Forcat e policisë dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa Panzillo u arrestua në flagrancë.