Ajo ishte gruaja e princit Edward, kushëri i mbretëreshës së ndjerë, dhe anëtarja më e vjetër e familjes mbretërore ende në jetë. Mediat britanike raportojnë se dukesha e Kentit, Katharine, u nda nga jeta mbrëmjen e kaluar, e rrethuar nga familja e saj.
Në një njoftim të Familjes Mbretërore thuhet: “Me hidhërim të thellë, Pallati i Buckinghamit njofton vdekjen e Lartësisë së Saj Mbretërore, Dukeshës së Kentit. Lartësia e Saj Mbretërore ndërroi jetë në paqe mbrëmë në Pallatin Kensington, e rrethuar nga familja e saj. Mbreti dhe Mbretëresha dhe të gjithë anëtarët e Familjes Mbretërore i bashkohen Dukës së Kentit, fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tij në zi për humbjen e tyre dhe kujtojnë me dashuri përkushtimin e përjetshëm të dukeshës ndaj të gjitha organizatave me të cilat ajo ishte e lidhur, pasionin e saj për muzikën dhe empatinë e saj për të rinjtë”
Katharine nuk ishte parë shpesh nëpër evente zyrtare vitet e fundit, pasi i kishte lënë detyrat mbretërore më shumë se 20 vite më parë. Por ajo u bë e njohur në mbarë botën për ndjeshmërinë e saj, pas një ndeshje në Wimbledon disa dekada më parë.
Në vitin 1993, ajo përqafoi tenisten Jana Novotná, e cila po qante pas humbjes në finalen e Ëimbledon-it. Katharine thoshte gjithmonë se përqafimi nuk ishte asgjë e veçantë dhe se edhe anëtarët e familjes mbretërore janë njerëz normalë.
Në vitin 1957, kur ishte 23 vjeçe, Katharine takoi princin Edward, Dukën e Kentit, në një ballo, ndërsa ai shërbente në ushtri. Duka, djali i vëllait të Mbretit George VI, ishte i stacionuar në Catterick, rreth 30 milje larg shtëpisë së Katharine, dhe filloi ta vizitonte shpesh atë.
Katharine dhe princi Edward u fejuan dhe u martuan më 8 qershor të vitit 1961. Në dasmë morën pjesë shumë personalitete të njohura, përfshirë mbretëreshën Elizabeth, Nënën mbretëreshën, princin Philip, princin e ri Charles dhe princeshën Anne, që ishte vajza e vogël që hidhte lulet në ceremoni. Në dasmë kishte edhe përfaqësues të mbretërive të Danimarkës, Greqisë dhe Holandës. Pas dasmës, çifti kaloi muajin e mjaltit në Majorka dhe vitin tjetër festuan lindjen e fëmijës së tyre të parë.