Ballina Rajoni Kriza demografike, Greqia mbyll mbi 700 shkolla

Kriza demografike, Greqia mbyll mbi 700 shkolla

22
0

Qindra shkolla në Greqi pritet të mbyllen gjatë vitit akademik 2025-2026, për shkak të rënies së numrit të lindjeve dhe uljes së regjistrimeve të nxënësve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, nga 13,478 shkolla në të gjithë vendin, 721 do të pezullohen këtë vit pasi nuk plotësojnë numrin minimal prej 15 nxënësish. Pjesa më e madhe e mbylljeve prek arsimin fillor, me 324 shkolla dhe 358 kopshte që do të mbyllen, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2018-2019.

Rënia e numrit të nxënësve është veçanërisht e dukshme në zonat rurale, në ishuj, por edhe në qytete të mëdha si Athina. Popullsia shkollore pritet të jetë rreth 1.21 milion nxënës, mbi 150 mijë më pak se shtatë vite më parë.

Një shkollë që pezullohet për tre vite rresht mbyllet përfundimisht, duke detyruar fëmijët, sidomos në zonat e thella, të udhëtojnë deri në 80 kilometra në ditë për të ndjekur mësimin. Zyrtarët e kanë cilësuar këtë situatë si një “Armagedon demografik.”

Lajmi ka marrë edhe vëmendje ndërkombëtare. Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, reagoi të martën në platformën ‘X’, ku shpërndau një artikull për këtë zhvillim nga Visegrád 24, duke shkruar vetëm dy fjalë: “Vdekja e Greqisë.” Postimi u bë shpejt viral, duke mbledhur mbi 1.8 milion shikime brenda disa orësh dhe duke ndezur debat në rrjetet sociale.

Kjo krizë lidhet drejtpërdrejt me rënien e lindshmërisë, emigrimin masiv të të rinjve , si dhe plakjen e popullsisë. Me një shkallë lindshmërie prej vetëm 1.3 fëmijë për grua, një nga më të ulëtat në Bashkimin Evropian, Greqia përballet me një problem afatgjatë që pritet të ndikojë shoqërinë dhe ekonominë për dekada të tëra. (Greek Reporter)