Ballina Kosovë “Jemi të zhgënjyer”/ Deklaratat e kryeministrit Kurti, Prattipati: Veprime që dobësojnë stabilitetin...

“Jemi të zhgënjyer”/ Deklaratat e kryeministrit Kurti, Prattipati: Veprime që dobësojnë stabilitetin politik dhe ekonomik

22
0

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në një deklaratë  ka thënë se është e zhgënjyer me deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me Gjykatën Kushtetuese, i cili në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje e kishte quajtur ‘hije politike të opozitës’ ndaj Vetëvendosjes.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Prattipati tutje ka thënë se këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati .

Ajo tutje ka thënë se çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin reciprok.

“Jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, ka thënë Prattipati.

Ndryshe, ditë më parë lideri i LVV-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.

Këto akuza janë bërë pasi Kushtetuesja kishte vendosur masë të përkohshme ku u është ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime, gjersa ka ndaluar çfarëdo procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Lidhur me deklaratën e Kurtit kanë reaguar edhe nga Kushtetuesja. Gjykata Kushtetuese ka shprehur shqetësim për deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë, duke i cilësuar ato si të pamatura dhe të dëmshme për demokracinë.

Në reagimin e saj, Gjykata thekson se pavarësia dhe paanshmëria e saj nuk janë privilegj i gjyqtarëve, por themel i shtetit të së drejtës dhe parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës./ Telegrafi