Ballina Opinion Nuk mbulohet shosha e qeverisë me Diella

Nuk mbulohet shosha e qeverisë me Diella

25
0
Nga Alfred Lela 
Ka nga ata që e shohin ministren e re, Diella AI, si një risi absolute dhe shenjë se kreativiteti i Edi Ramës nuk njeh kufij. Kam përshtypjen e kundërt se, shpikja e së parës anëtare virtuale kabineti qeveritar në botë, është shenjë e pafuqisë për t’u reformuar, për të punuar dhe për të administruar.

Së pari, është mirë të shtrohet traseja e asaj se pse lindi apo pse duhet Diella. Në formulimin e Ramës: për të përshpejtuar punën dhe për të ndaluar korrupsionin. Në këtë pikë na duhet të pranëvëmë dy Edi Ramë, kur ishte në opozitë me të sotmin. Asokohe ai thoshte se korrupsionin e bën sistemi, jo individi, dhe me sistem kishte, me të drejtë, ndërmend vullnetin politik për ta kufizuar apo lejuar korrupsionin.

Çfarë ka ndryshuar te Rama i 12 viteve në pushtet që e bën të mendojë se korrupsionin e bën individi dhe jo sistemi, dhe i pari duhet zëvendësuar me një ‘person’ virtual, sërish pjesë e një sistemi tekno-politik?

Nuk ka ndryshuar gjë, parimet janë po ato, gjithashtu edhe njerëzit. Ajo që duket se ka ndryshuar është se Rama ka zbuluar (papritur?!) se korrupsioni është një mënyrë efikase për të fituar, mbajtur dhe përqendruar pushtetin.

Kështuqë paraqitja e Diellës si zbulim është një kurth i ri për një huq të vjetër. E shumta që e vetmja gege në qeverinë e Ramës mund të bëjë është, të hulumtojë apo kapë një thyerje, diçka që nuk shkon në dokumentacion, pra shkeljet proceduriale, impersonale apo teknike, por jo shkelje apo kundravajtje të llojit ‘personal’ apo ‘sistemik’ siç është një akt korrupsioni.

Rama e di këtë dhe Diella nuk është më shumë se një pr stunt, pra një përpjekje për të tërhequr vëmendje.

Edhe si fakt teknologjik më vete, Diella duhet të na trembë. Jo ajo vetë, se nuk është më shumë se një shqiptare e popfolkut që ka hipur në tren për Përzëren, por rekordi aspak pozitiv i “qeverisë Rama” në punët e teknologjisë së lartë gjatë kësaj dekade.

Skandali me sistemin TIMS, hackerimi “Iranian” i e-albania, nxjerrja apo rrjedhja e të dhënave personale, që iu dhanë patronazhistëve për të kontrolluar flukset dhe vullnetet zgjedhore, janë dëshmi të qarta të këtij dështimi spektakolar në teknologji.

Për ta pëmbyllur, duke përdour shprehjen popullore nuk mbulohet dielli me shoshë, në këtë rast mund të thuhet se Diella nuk e mbulon dot shoshën gjithë vrima të rekordeve të Ramës dhe qeverisë socialiste.

Ajo është një diversion propagandistik, jo një kreativitet teknologjik.