Ballina Ekonomia Hendeku gjinor në privat, 30,7% e grave janë jashtë forcave të punës....

Hendeku gjinor në privat, 30,7% e grave janë jashtë forcave të punës. Ndikojnë familja dhe…

21
0

30,7 për qind e grave janë jashtë forcave të punës, kundrejt vetëm 17,7 për qind të burrave.

Gratë kanë gjithashtu 1,5 herë më shumë gjasa se burrat të kryejnë punë pa pagesë, një fenomen që shfaqet veçanërisht në bizneset familjare, bëjnë të ditur të dhënat e INSTAT-it mbi tregun e punës.

Sipas Gertjana Hasallës, eksperte për çështjet e punësimit, detyrimet familjare dhe stereotipat gjinorë mbeten faktorët kryesorë që i pengojnë gratë të ndërtojnë një karrierë të qëndrueshme.

Janë të detyruara, në një mënyrë ose një tjetër, për të punuar pa pagesë ose për t’u paguar në mënyrë informale në biznese familjare. Mbi të gjitha, kjo nuk i lejon që të ndërtojnë një karrierë profesionale të qëndrueshme. Shumica prej tyre kanë një karrierë e cila luhatet në vite të ndryshme në bazë edhe të krijimit të familjes ose të lindjes së fëmijëve,” thotë ekspertja.

Hendeku gjinor bëhet edhe më i theksuar në sektorin privat.

Në sektorin publik ka një rang të tërë pagash. Pavarësisht gjinisë, ti paguhesh njësoj. Ndërkohë në sektorin privat këto ndryshime bëhen më të dukshme. Kjo nuk është e drejtë, patjetër. Është diskriminim në vetvete. Vërejmë gjithashtu se shumica e burrave dhe djemve zënë pozicione drejtuese në këto kompani private në krahasim me kompanitë shtetërore,” tregon znj. Hasalla.

Në sektorë si bujqësia, ku dominojnë ekonomitë familjare, situata bëhet edhe më e vështirë për gratë.

Mund të ndodhë që paguhen sigurimet për një person, që është kryefamiljari, ndërkohë anëtarët e tjerë të familjes, që punojnë në të njëjtën ekonomi familjare bujqësore, nuk sigurohen. Do të thotë se vajzat dhe gratë, për shembull, që janë pjesë e së njëjtës familje, që japin të njëjtin kontribut ose ndonjëherë edhe më të madh, nuk sigurohen dhe nuk figurojnë si të punësuara,” shpjegon ekspertja e tregut të punës.

Ekspertja sugjeron se rritja e aksesit në edukim mbetet mënyra më e mirë për të nxitur pjesëmarrjen më të gjerë të grave në tregun e punës dhe për të zbutur hendekun gjinor që ekziston aktualisht.