Ballina Bota Sterilizime, tortura, poshtërime: Historia e Kalbinur Sidikut në kampin e ujgurëve në...

Sterilizime, tortura, poshtërime: Historia e Kalbinur Sidikut në kampin e ujgurëve në Kinë

19
0

“I luta të mos më çonin në operacion. U thashë se nuk dua dhe nuk mund të kem fëmijë të tjerë. Por, prapëseprapë, duhej të sterilizohesha”.

Kështu e nis rrëfimin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Kalbinur Sidik, mësuese e gjuhës kineze nga qyteti Urumçi në rajonin Ksinjiang të Kinës.

Ajo flet për procedurat që kanë kaluar mijëra gra dhe vajza ujgure, të cilat mbahen në kampet për këtë pakicë myslimane në Kinë, ose detyrohen të punojnë atje, si vetë ajo.

“Disa vajzave u jepnin tableta që ndërprisnin menjëherë dhe përfundimisht menstruacionet. Mua më çuan në spital, ku iu nënshtrova një ndërhyrjeje për sterilizim të përhershëm”, thotë Sidik.

Ajo mori pjesë në një konferencë për ujgurët në Sarajevë, qëllim i së cilës ishte të rriste vëmendjen mbi “genocidin ndaj ujgurëve në Turkestanin Lindor” – që është emri ujgur për rajonin Ksinjiang.

Bosnje dhe Hercegovina ishte “vula e parë” në pasaportën që Sidik mori në Holandë.

Mësuese në kamp

Sidik punonte si mësuese e gjuhës kineze në një shkollë fillore në Urumçi, ku kishte përfunduar edhe studimet e larta.

Një ditë në shkurt të vitit 2017, ajo u thirr në ndërtesën e zyrës komunale.

Aty, siç tregon ajo, sekretari i partisë i tha se do t’i jepej një pozitë e re: “t’i mësonte njerëzit analfabetë”.

“Na dhanë dokumente për të nënshkruar. As nuk mund t’i lexonim”, thotë ajo.

Pasi nënshkroi dokumentet, sekretari i tha se duhej të mbante gjithçka sekret dhe iu drejtua direkt:

“Mësuese Ka, ju keni një vajzë në Holandë, apo jo? E dini, Kina dhe Holanda janë shumë afër, ne mund ta kthejmë vajzën tënde”.

“Kështu më kërcënoi që nga fillimi”, kujton Sidik.

Pastaj thotë se u kontaktua nga një oficer i policisë kineze, detyrë e të cilit ishte ta çonte në vendin e saj të ri të punës.

Ajo punoi në dy kampe. Së pari në kampin e burrave, ku thotë se pa poshtërim dhe torturë.

Disa ishin të lidhur dhe detyroheshin të zvarriteshin për të hyrë në ‘klasa’. Vuanin në çdo mënyrë. Ndonjëherë, dëgjoja britma dhe ulërima që vinin nga dhomat tjera”, thotë Sidik.

Ajo tregon se të gjithë ishin ujgurë nga pjesë të ndryshme të rajonit.

“Ata vinin nga të gjitha qytetet e Turkestanit Lindor – nga të gjitha vendet. Ata nuk ishin vetëm studiues fetarë ose imamë, por njerëz nga të gjitha sferat e jetës: profesorë, akademikë, biznesmenë, filantropë, doktorë shkencash dhe madje edhe të tillë që kishin studiuar jashtë vendit”, thotë Sidik.

“Këta njerëz nuk kishin nevojë për arsim të mëtejshëm – shumica e tyre ishin shumë të arsimuar. ‘Krimi’ i tyre i vetëm ishte të qenët ujgurë”, shprehet ajo.

Sterilizimi në kampet e grave

Pas gjashtë muajsh në kampin e burrave, Sidik u transferua në kampin e grave.

Ai thotë se ishte i ri dhe se aty gjendeshin gra nga mosha 14 deri në 40 vjeçe.

“Të gjitha u sterilizuan me forcë. U dhanë pilula që ua ndalën ciklin menstrual. Edhe vajzat që nuk ishin të martuara, u sterilizuan me forcë”, kujton Sidik.

Ajo thotë se një ditë pa një vajzë që bartej në barelë.

“Ishte si e vdekur. Ashtu dukej. Ishte maksimumi 19 vjeçe. Mendoj se i kishin dhënë shumë pilula. Trupi nuk mund t’i duronte më”, thotë Sidik.

Ajo tregon se gratë ujgure janë sidomos krenare për flokët e tyre të gjata.

“Por, në kamp ua rruanin kokat grave më të moshuara… Kishte edhe shumë gjëra të tjera, por këto ishin më të këqijat dhe më të dukshmet”, thotë Sidik.

Trauma i shkaktoi sëmundje

Kur pyetet se si ishte jeta e saj gjatë punës në kamp, ​Sidik thotë se “nuk ishte jetë”.

“Si mund të kalosh kohë me familjen tënde kur para syve të shfaqet vazhdimisht ajo që sheh gjatë ditës”, shprehet ajo.

Sidik kaloi rreth nëntë muaj në kampe, derisa u sëmur.

Ajo thotë se gjakderdhja e saj nuk ndalej, kishte dhimbje të vazhdueshme dhe, për shkak të presionit psikologjik, përfundoi në spital.

Pastaj, autoritetet kineze e dërguan me forcë në pension. Megjithëse duhej t’i kishte së paku 30 vjet shërbim për të dalë në pension, ajo u detyrua të dilte në pension pas 28 vjetësh, me shpjegimin se nuk mund t’i kryente më detyrat e saj.

“Në fund edhe më sterilizuan. Nuk u detyrova të merrja pilula si të tjerat, por më operuan”, thotë Sidik.

Kur shkoi në zyrën e planifikimit familjar, u përpoq t’u lutej atyre që të mos e operonin, sepse nuk planifikonte të kishte më fëmijë. Por, nuk i besuan.

Sidik thotë se e gjitha i ka lënë një ngarkesë të madhe në psikikën e saj.

Si arriti të largohej nga Kina?

Për ujgurët dhe pakicat e tjera myslimane në Kinë është pothuajse e pamundur të largohen nga vendi.

Sidik thotë se e vetmja gjë që e ndihmoi, është fakti që ajo është me etni uzbeke dhe jo ujgure.

Kemi edhe uzbekë në Turkestanin Lindor. Unë jam uzbeke, por burri im është ujgur. Kjo është arsyeja përse atij i thanë menjëherë se nuk mund as të ëndërrojë për të udhëtuar jashtë. Mua, së paku, më lejuan të paraqes një kërkesë”, thotë Sidik.

Ajo tregon se vajza e saj jeton në Holandë dhe se u martua në vitin 2018, porse asaj nuk iu lejua të udhëtonte për dasmën.

Në janar të vitit 2019, vajza i dërgoi edhe një tjetër ftesë dhe me të shkoi në stacionin e policisë për të dorëzuar kërkesën për pasaportë.

“Më thanë: je uzbeke, mund ta shqyrtojmë. Burrit tim i thanë me vrazhdësi: je ujgur, dil jashtë, nuk do të marrësh kurrë pasaportë”, rrëfen Sidik.

Procedura zgjati nëntë muaj e 15 ditë – “ishte e lodhshme dhe e mundimshme”, shprehet ajo.

Ajo priti 24 ditë për vizën e saj në Pekin dhe sapo e mori u nis drejt Holandës.

Në Kinë mori pensionin e saj edhe për disa muaj të tjerë, derisa filloi të fliste publikisht për atë që kishte parë.

Pastaj thotë se policia kineze e kontaktoi përmes WeChat-it – një rrjet social kinez – dhe e solli burrin e saj për intervistë.

Më thanë: mos e bëj atë. Nëse na dëgjon, do ta ndihmojmë burrin tënd të largohet nga vendi, ose mund të kthehesh dhe të jeni përsëri bashkë”, thotë Sidik.

Por, ajo refuzoi: “Bëni çfarë të doni. Unë nuk do të hesht. Kjo është ajo që thashë”.

Ajo tregon se burri i saj shpejt u detyrua të divorcohej prej saj dhe se tani ajo nuk ka kontakt me të.

Pasaporta holandeze dhe jeta pranë detit

Sot, Sidik jeton një jetë të qetë në një shtëpi në plazh.

Ajo thotë se është shumë e lumtur, ndërsa tregon mbesën e saj në celular.

Ajo mori pasaportë nga Holanda dhe udhëtimi i saj i parë ishte në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Falënderoj Zotin, para së gjithash, dhe pastaj falënderoj Holandën që tani kam një jetë normale pranë vajzës sime”, përfundon Sidik. / REL