Ballina Ekonomia Miratohet granti 60.5 mln euro për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë

Miratohet granti 60.5 mln euro për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë

27
0

Qeveria shqiptare ka miratuar grantin e Bashkimit Evropian në vlerën 60.5 milionë euro, për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjete sociale, konfirmon miratimin e grantit evropian, teksa cilëson se kjo linjë hekurudhore është një nyje e rendësishme e “Korridorit VIII” që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Qeveria shqiptare ratifikon marrëveshjen e grantit të BE prej 60.5 mln euro për linjën hekurudhore Durrës – Rrogozhinë, një nyje e rëndësishme kjo e “Koridorit VIII” që lidhe Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke sjellë përfitime civile, ekonomike dhe ushtarake. Investimi kap vlerën e 120.5 mln eurove dhe do mbulohet me grant nga BE-ja dhe kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si edhe Banka Europiane e Investimeve.”, shkruan Balluku në rrjete sociale.

Projekti “Infrastruktura hekurudhore e Korridorrit VIII, faza I – Shqipëri”, synon që të bëjë modernizimin e linjës prej 34 km, elektrifikimin, vendosja e standardeve evropiane, si dhe arritja e shpejtësisë deri në 120 km/h.

Ky projekt, vlera totale e së cilës arrin në 120.5 milionë euro, sigurohet prej 60.5 milionë euro grant i BE-së, 30 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, si dhe 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.