Ballina Opinion Për çfarë e dëbuat Lulin?

Për çfarë e dëbuat Lulin?

0
17

Nga Indrit Vokshi

Nisi dje parlamenti, po i shihja se si po qeshnin aty në sallë dhe kam një pyetje për këta të PD-s: Për ça e dëbuat Lulin, se spo kuptohet?

Gafa Luli, supergafa Saliu, e patë në fushatë, burrit i thoshte grua, ngatërronte shifra, emra dhe vende.

Klientelist Luli, superklientelist Saliu, e patë te lista e deputetëve, ju e dini mirë, veçse nuk flisni.

Humbës Luli, superhumbës Saliu, ta tregojnë shifrat; Luli e la diferencën me Edi Ramën 15 mandate duke pasur Blinkenin në pushtet në ShBA, i madhi Sali Berisha e çoi 33 mandate, duke qenë Trumpi në ShBA (meqë e masni kështu).

Beteja sapo ka filluar thoshte Luli, beteja sapo ka fillue tha Saliu, veç kjo “e-ja” në fund i dallon.

Blloko foltoren e parlamentit Luli, blloko foltoren Saliu.

Do ia shkurtojmë ditët këtij regjimi thoshte Luli, do ia shkurtojmë ditët regjimit tha pardje Saliu.

Parti personale Luli, parti superpersonale Saliu. Ka veç një ndryshimin që kur humbte Luli, dilnin e kritikonin dhe i kërkonin të largohej, kurse ketë tjetrin nuk guxojnë ta kritikojnë pasi e kanë frikë se të bie n’levë apo tokmak.

U çuat duke thënë sna pyet kush për deputetët, vendos veç kryetari, erdhi 2025, as iu pyeti kush, iu caktuan kë deshën vetë. Dhe jeni aq pa kurajë sa rrini akuzoni kot zv.doktor Nokën, jo doktorin kryesor.

U ankuat se kryetari humb zgjedhjet por nuk largohet. Ja i humbi kryetari zgjedhjet e 2025, nuk u largua, as guxoi kush tia kujtojë se iu pati premtuar që nëse humb, ai sdo të ankohet “mi vodhën, mi blenë” siç bënte Luli, por do të largohet vetë si burrat.

Të gjithë ata që kishte Luli në aparatin drejtues partisë, po ata ka edhe Saliu.

Ndaj pyetja është kjo: Për çfarë e bëtë atë luftën 3 vjeçare brenda partisë? Për çfarë i shatë me soj e me sorollop, me prag dere e me listë fisi, ish miqtë e ish bashkëpunëtorët? Çfarë fituat nga kjo dmth?

Thjesht larguat disa njerëz nga PD-ja, me egërsi, me mllef, me urrejtje, duke i quajtur sikur ata ishin e keqja dhe shkaku i humbjeve.

U mobilizuat duke i quajtur tradhëtarë e të shitur, naivë, të gënyer, të blerë etj. Ja sot, kandiduat pa ata që shkaktonin humbjet ose i shisnin zgjedhjet, e as fituat gjë, as do të fitoni gjë në të ardhmen.

E gjithë lufta, urrejtja, sharja, dëbimet, largimet, spastrimet, u bënë që ju tu jepni 50 rroga deputeti nja 50 deputetëve?

Po shumë mirë. Tani rrini dhe durojini të njejtët njerëz kundër të cilëve u ngritët në 2021, duke thënë se nuk i duroni dot.

Që ta sqarojmë: Luli ka marrë atë që ka merituar. Edhe ju po merrni atë që meritoni. Në vend që ta merrte Saliu si Luli, po e merrni ju për Saliun. Dhe ju e meritoni, gjithashtu.

Post Scriptum: Më pagoi Edi Rama 50 mijë euro për ketë shkrim kundër demokracisë dhe votës së lirë.